Kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton ka theksuar se dëshiron shumë që të garojë së bashku me djalin e Michael Schumacher, Mick Schumacher i cili doli kampion bote në Euro Formula 3 dhe ka marrë licensën për të garuar në Formula 1.
“Jam i sigurtë se do të vijë shumë shpejt tek ne. Do të kemi sërish një Schumacher në sportin tonë. Ai mban mbi shpinë një emër të madh, por është edhe një pilot i ri dhe i talentuar.
Mick ka bërë gjëra të mëdha për moshën që ka, është një djalë shumë i mirë. Pata mundësi ta njoh nga afër vitin e kaluar, kur qëndroi me skuadrën tonë disa javë dhe më befasoi përqendrimi i tij te çdo detaj. Me talentin që ka do të ndjekë hapat e babait të tij. Unë shpresoj të garoj një ditë së bashku me Mick, siç kam bërë me Michael”, tha Lewis Hamilton.