Vendimi i trajnerit Christian Titz për ta dërguar Mërgim Mavrajn të stërvitet me ekipin e të rinjve i ka shkaktuar mjaft probleme skuadrës të Hamburgut. Sipas të përditshmes gjermane, Bild, me vendimin e marrë klubi ka shkelur kontratën që ka me mbrojtësin kuqezi, si edhe statusin e lojtarëve profesionistë, që duhet të stërviten vetëm nga një trajner me licencë.
Aktualisht skuadra e 21-vjeçarëve drejtohet nga Steffen Weiß, i cili nuk zotëron licencën e përshtatshme për këtë rast. Përfaqësuesit e Mavrajt vendosën në dijeni drejtuesit e Hamburgut për shkeljen, duke lënë të hapur mundësinë që të merrnin hapat e nevojshëm ligjorë.
Fakti që futbollisti 31-vjerçar ka të drejtë në qëndrimin e tij, u shoqërua me alarm te Hamburgu, me klubin që vetëm prej rastit të Mavrajt punësoi me kohë të pjesshme ish-sulmuesin profesionist, Vahid Hashemian që mori për disa ditë drejtimin e ekipit të të rinjve.
Por me iranianin që punon edhe në skuadrën e 17-vjeçarëve, vetëm prej çështjes Mavraj klubit i nevojitej një tjetër zgjidhje dhe për këtë arsye, duke nisur nga java e ardhshme do të emërojë një tjetër trajner te ekipi i 21-vjeçarëve, vetëm që ai të jetë i përshtatshëm për të stërvitur mbrojtësin shqiptar. Bëhet fjalë për Achim Feifel, ish-trajnerin e ekipit të femrave të Hamburgut.
Edhe pse klubi po punon të marrë masat, në situatën e krijuar dhe me shkeljen e evidentuar të kontratës, mbetet aktuale mundësia që në fund të sezonit Mërgim Mavraj të kërkojë prishjen e kontratës me Hamburgun, një vit përpara përpara përfundimit të marrëveshjes.