Izraeli kurrë nuk ka qenë më i fortë sesa është sot. Hamasi kurrë nuk ka qenë më i dobët. Nëse ka ekzistuar ndonjëherë koha më e përshtatshme për Izraelin që të ndërmarrë pak rreziqe të llogaritura në përpjekje për t’u përafruar me palestinezët në Bregun Perëndimor, atëherë është kjo tani. Fatkeqësisht, kryeministri i shtetit është tepër frikacak, ndërsa Amerika tepër skllavërisht mbështetëse që një gjë e tillë të ndodhë. Të bie ty, Nëna Natyrë
Nga Thomas L. FRIEDMAN
Princesha Diana dikur e kishte vënë re se janë tre persona të përfshirë në martesën e saj, “kështu që është paksa e mbipopulluar”. E njëjta gjë vlen për izraelitët dhe palestinezët. Personi i tretë në martesën e tyre është Nëna Natyrë dhe ajo do t’i dëmtojë që të dyja po qe se nuk përmenden.
Le të nisim me Hamasin, organizatë islamike palestineze që e qeveris Rripin e Gazës. Po të ekzistonte një anti-çmim Nobel i Paqes – e që do të ishte çmimi Nobel për cinizëm dhe shpërfillje të pamatur të vetë popullit të ndonjërit në ndjekje të një fantazie politike – atëherë ai sigurt do t’i shkonte Hamasit, i cili porsa e ka bërë më të lehtë vdekjen tragjike të rreth 60 gazasve me anë të trimërimit të marshit të tyre, në disa raste edhe me armë, përgjatë mburojës kufitare izraelite në kërkim të “kthimit” në shtëpitë e të parëve të tyre, në atë që tani është Izrael. Derisa ideja për marshin lindi nga shoqëria palestineze në Gazë, Hamasi e shfrytëzoi rastin atë për t’i maskuar dështimet e saj të rënda në prodhimin e një jete dinjitoze për palestinezët e atjeshëm, të cilët i ka qeverisur që prej 2007-s.
I dëgjoni njerëzit tek thonë: “Çfarë zgjedhjesh kanë? Janë të dëshpëruar”. E po, do t’jua japë unë një zgjidhje – atë që pothuajse sigurt mund të shpjerë drejt përmirësimit të jetës së gazasve, atë që e propozova fillimisht më 2011. Çfarë nëse dy milionë palestinezët e Gazës marshojnë drejt mburojës kufitare të Izraelit me një degë ulliri në njërën dorë dhe në tjetrën një shenjë të shkruar në hebraishte dhe arabishte, në të cilën thuhet: “Dy shtete për dy popuj: Ne, populli palestinez i Gazës, duam të nënshkruajmë traktat paqeje me popullin hebraik – zgjidhje me dy shtete bazuar në kufijtë e 1967-s, me rregullime të dakorduara nga të dyja anët”.
Kjo gjë do ta stimulonte një goxha debat përbrenda Izraelit, si dhe presionin mbarëbotëror – sidomos nëse Hamasi do të ftonte delegacione të rinjsh nga e gjithë bota arabe që t’i iniciojnë marshet e tyre për t’i prirë Iniciativës Paqësore Arabe. Kjo lloj lëvizje palestineze do t’i detyronte izraelitët të ndihen strategjikisht të sigurt, por moralisht të pasigurt, gjë kjo që e përbën çelësin e vënies në lëvizje të shumicës së heshtur të izraelitëve. Në vend të kësaj, Hamasi zgjodhi t’i detyrojë izraelitët të ndihen strategjikisht të pasigurt ama moralisht të sigurt në vrasjen e një mori pasuesve të Hamasit, të cilët u munduan ta kalojnë mburojën kufitare.
Gaza është e ndërtuar në po të njëjtën rërë sikurse Jaffa/Tel Avivi, prej ku vijnë shumica e familjeve të Gazës. Izraeli i dha fund okupimit të saj në Gazë më 2005. Sikur Hamasi të zgjidhte njohjen e Izraelit dhe ndërtimin e një shteti palestinez në Gazë sipas modelit të Singaporit, atëherë bota do ta vërshonte me ndihma dhe kjo gjë do të shërbente si model pozitiv për Bregun Perëndimor. Hamasi e zgjodhi të kundërtën. E vlerësoj ndjenjën e padrejtësisë që e ushqejnë gazasit. Pse do të duhej të paguanin ata me shtëpitë e të parëve të tyre për refugjatët hebraikë, të cilët i humbën të vetat në Gjermani apo Irak?
Përgjigjja e vetme është se historia është e mbushur me padrejtësi të tilla dhe me refugjatë që e kanë ndierë të njëjtën gjë dhe kanë ecur përpara – nuk ua kanë bartur statusin e tyre të refugjatit fëmijëve apo fëmijëve të fëmijëve të tyre. Kjo është arsyeja pse kaq pak arabë, kaq pak evropianë, kaq pak kushdo, janë ngritur në mbrojtje të Hamasit. Njerëzit janë ngopur me të këtilla gjëra. OK. Kaq për udhëheqjen “e keqe” palestineze. Cila është përgjigjja e Izraelit ndaj Autoritetit Palestinez shekullar, më të moderuar në Bregun Perëndimor, forcat e sigurisë të së cilës janë koordinuar me Izraelin për vite me radhë për ta reduktuar sa më shumë që është e mundur dhunën që buron prej territoreve të okupuara? Përgjigjja: asgjë. Faktikisht, më keq se asgjë, shkaku që qeveria e Bini Netanyahut ka vendosur furishëm gjithnjë më shumë kolonë në thellësi të rajoneve të banuara me palestinezë të Bregut Perëndimor – tani 100.000 sosh – përtej blloqeve për kolonët që Izraeli mund t’i mbante në rast të ndonjë marrëveshjeje paqësore me dy shtete. Kjo e bën ndarjen e izraelitëve dhe palestinezëve më të pamundur dhe kësisoj e bën gjithnjë e më të mundshme krijimin e një situate të ngjashme me aparteidin.
Prandaj, po, e kuptoj pse Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër përpos se ta mbrojë kufirin e vet me Gazën me anë të forcës brutale. Por e shoh si absurd faktin që një shtet me kaq shumë imagjinatë në fushën e kompjuterisë, mjekësisë dhe bujqësisë tregon kaq pak imagjinatë në kërkimin e mënyrave të sigurta të ndarjes prej palestinezëve në Bregun Perëndimor në emër të ruajtjes së demokracisë së saj hebraike. Kjo për shkak se Netanyahu, sikurse Hamasi, po ashtu i do të gjitha. Dhe për aq kohë sa presidenti Trump dhe kongresi amerikan ia përshkruan çeqet pa shifra, Bibi mendon se mund t’i ketë të gjitha. Atëherë, pse duhej lodhur të bëjë koncesione të paqes?
Këtu hyn ai personi i tretë i përfshirë në martesë: Nëna Natyrë – dmth., demografia dhe shkatërrimi i ekosistemit. As ajo nuk i njeh vijat e tërhequra nëpër harta. Në mars, agjencia “Reuters” raportoi nga Jerusalemi: “Numri i hebrenjve dhe arabëve ndërmjet detit Mesdhe dhe lumit Jordan është baras apo afër barazimit, tregojnë të dhënat e cituara nga zyrtarët izraelitë, duke ngritur pikëpyetje rreth asaj nëse Izraeli mund të mbetet një demokraci në rast se e mban territorin në të cilin palestinezët e duan shtetin e tyre”. Tani janë rreth 2.7 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor, dy milionë në Gazë dhe 1.84 milionë arabë izraelitë, për ta çuar shifrën e përgjithshme në rreth 6.5 milionë. Kjo shifër është pak a shumë e njëjta me atë të hebrenjve që jetojnë ndërmjet lumit Jordan dhe Mesdheut. Nëse trendet aktuale të natalitetit vazhdojnë, hebrenjtë sipas të gjitha gjasave do të shndërrohen në pakicë, bashkë me të gjitha pasojat negative qeverisëse që mund të shfaqen përgjatë rrugës.
Prefekti izraelit i Jerusalemit, Nir Barkat, e siguroi fitoren e fundit me shumicë të ngushtë në zgjedhjet e 2013-s, me gjithsej 111.000 vota. Shumica e banorëve palestinezë të Jerusalemit lindor të aneksuar nga Izraeli i bojkotuan zgjedhjet e qytetit, por rreth 180.000 prej këtyre palestinezëve të Jerusalemit lindor u është siguruar lejeqëndrimi izraelit, i paguajnë taksat dhe kanë të drejtë vote në zgjedhjet komunale, dhe një ditë, shumë shpejt, ata edhe do të votojnë dhe do ta zgjedhin prefektin e radhës. Ky do të jetë momenti që ia hap rrugën një realiteti të ri demografik.
Dhe pastaj është edhe kjo: Sulmet e përsëritura raketore të Hamasit që çuan drejt ndërtimit të shtesave në murin bllokues izraelit, shkurtimet e furnizimit me energji shkaku i përçarjeve ndërpalestineze dhe përdorimi i rregullt prej anës së Hamasit i materialeve ndërtimore për gërmimin e tuneleve për depërtim në Izrael kanë shkaktuar mungesë kritike të infrastrukturës në Gazë, sidomos në fushën e trajtimit të ujërave të zeza. Kësisoj, gazasit tani lirojnë më shumë se 100 milionë litra ujëra të zeza në Mesdhe për çdo ditë, shpjegon Gidon Bromberg, drejtori izraelit i “EcoPeace Middle East”, e cila e promovon paqen nëpërmjet bashkëpunimit ambiental. Shkaku i rrymave detare, pjesa më e madhe e këtyre ujërave shkon kah veriu, në qytetin izraelit me plazhe, Ashkelon, ku ndodhet fabrika e dytë më e madhe e shkripëzimit të ujit në Izrael. Tetëdhjetë për qind e ujit të pijshëm të Izraelit sigurohet prej shkripëzimit, ndërsa 15 për qind e të gjithë ujit të pijshëm të vendit vjen prej fabrikës në Ashkelon. Por tani plehrat e Gazës po e vërshojnë fabrikën e shkripëzimit në Ashkelon dhe ajo është detyruar të mbyllet disa herë për ta spastruar papastërtinë e Gazës nga filtrat. “Pra, ideja se mund thjesht të dalim nga Gaza, t’i hedhim çelësat dhe ta harrojmë është një iluzion”, tha Bromberg.
Për më tepër, shkalla e nxjerrjes së ujit nga shtresa e nëndheshme e Gazës është rreth 60 milionë metër kub ujë shiu në vit, bëri të ditur Bromberg, por gazasit kanë nxjerrë rreth 200 milionë metra kub në vit për një dekadë radhazi, “kështu që shtresa e nëndheshme e uji është shteruar dhe uji i detit ka depërtuar në te e tani shumë njerëz po pinë ujë si të kripur ashtu edhe të ndotur”. Gazasit tani i shpenzojnë 20 deri në 30 për qind të të ardhurave të tyre për blerje të ujit të pastër, tha ai. Pas pak vjetësh, protesta e radhës në Gazë nuk do të organizohet nga Hamasi, por nga nënat për shkak se tifoja dhe kolera do të jenë përhapur nëpërmjet ujit dhe gazasit do të duhet të ndalojnë së piri ujë. “Atëherë do të mundë t’i shihni dy milionë njerëz tek vijnë në mburojën kufitare me kova të zbrazëta, duke u lutur për ujë të pijshëm”, thotë Bromberg. “Po shkojmë në atë drejtim”.
Në të vërtetë, shikoni përreth. Kombinimi i thatësisë së vazhdueshme, rritjes së temperaturave dhe të popullatës po i kërcënojnë shtresat e nëndheshme të ujit kudo përreth Lindjes së Mesme. Organizata Meteorologjike Botërore e ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë gjatë muajit prill: 50.2 gradë celsius në Nawabshah, qytet me 1.1 milion banorë në Pakistanin jugor. Në Aman të Jordanisë, ku popullata ka shënuar rritje, sherri i refugjatëve nga Siria, amvisëritë tani kanë vetëm nga 12 deri në 24 orë ujë të pijshëm në javë, gjatë të cilës kohë banorët detyrohen të mbushin sa më shumë rezerva që munden.
Konstatim: Izraeli kurrë nuk ka qenë më i fortë sesa është sot. Hamasi kurrë nuk ka qenë më i dobët. Nëse ka ekzistuar ndonjëherë koha më e përshtatshme për Izraelin që të ndërmarrë pak rreziqe të llogaritura në përpjekje për t’u përafruar me palestinezët në Bregun Perëndimor, atëherë është kjo tani. Fatkeqësisht, kryeministri i shtetit është tepër frikacak, ndërsa Amerika tepër skllavërisht mbështetëse që një gjë e tillë të ndodhë. Të bie ty, Nëna Natyrë. (The New York Times)