Jerusalem, 13 nëntor – Krahu ushtarak i Hamasit kumtoi se do t’i rrisë sulmet dhe do të gjuajë raketa ndaj qyteteve izraelite Ashdod dhe Bersheba, nëse Izraeli i vazhdon sulmet ajrore ndaj Rripit të Gazës.
Paralajmërimi ishte dërguar sot, disa orë prejse raketa e gjuajtur nga Rripi i Gazës vrau një izraelit gjatë goditjes direkte të ndërtesës banesore në qytetin e portit Ashkelon. Raketa ishte gjuajtur prejse gjatë sulmit të mbrëmshëm izraelit ajror e shkatërroi ndërtesën e televizionit të lëvizjes Hamas në Rripin e Gazës.
Zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit deklaroi se Ashkelon “u përfshi në zjarr në përgjigje të bombardimit të ndërtesave në Gazë”. Ai tha se Ashdod dhe Bersheba “janë caqet e ardhshme, nëse armiku vazhdon të bombardojë ndërtesa me civilë”.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia u bënë thirrje Palestinezëve dhe Izraelitëve ta ndalin eskalimin e shpejtë të dhunave në Gazë në 24 orët e fundit.
“Një luftë e re në Gazë do të ishte tragjedi e pabesueshme. Duhet ta shmangim me çdo kusht”, deklaroi mbrëmë në Paris sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh.
Koordinuesi special i KB-së për procesin paqësor të Lindjes së Afërt Nikollaj Mlladenov ka bashkëpunim të ngushtë me Egjiptin dhe të gjitha palët e interesuara për pajtim të shpejtë të situatës”, kumtoi zëdhënësi i Guteresh.
Burime diplomatike anonime për mediat izraelite citojnë se situata do të keqësohet shumë përderisa të dy palët nuk tregojnë “përmbajtje maksimale”.
Ambasadori i BE-së në Izrael Emanuel Zhafro i vlerësoi si të papranueshme sulmet ndaj civilëve, duke theksuar se “të gjithë duhet të tërhiqen nga gremina”.
Ministria ruse e Punëve të Jashtme vlerësoi se situata është e rrezikshme sepse mund të sjell deri në një operacion të madh ushtarak dhe kolaps humanitar në Gazë.
“Moska me brengë të thellë shikon në atë eskalim të rrezikshëm”, citoi MPJ-ja ruse, duke plotësuar se e konsideron Izraelin si përgjegjës për ashpërsimin më të ri ” të provokuar nga operacioni ushtarak izraelit në Gazë të dielën në mbrëmje”.
Nga ana tjetër, këshilltari i lartë i presidentit amerikan Donald Tramp, Xhejson Grinblat konsideron se Hamas islamik-ekstremist e ka detyruar Izraelin në aksion ushtarak me gjuajtje të projektilëve. Grinblat, i cili i udhëheq përpjekjet për ripërtëritje të negociatave paqësore mes izraelitëve dhe palestinezëve, që janë në ngecje nga viti 2014, në Tuiter shënoi se bota “është lodhur nga dhuna në Hamas dhe dhuna e aktorëve tjerë të këqij në Gazë”.