Organizatat rivale palestineze Hamas dhe Fatah kanë arritur marrëveshje për pajtim politik, deklaroi sot lideri i Hamasit, Ismail Hanija. Hollësitë e marrëveshjes do të publikohen në konferencën për shtyp gjatë ditës në Kajro. Bisedimet mes Hamasit dhe Fatahut kanë filluar të martën në Kajro. Hamasi që më 11 shtator kumtoi se është përgatitur të bisedojë për pajtim me Qeverinë e presidentit palestinez Mahmud Abas “pa kurrfarë parakushte”.
Në kumtesën e cila u publikua pas takimit me përfaqësuesit egjiptianë në Kajro, Hamas theksoi se është përgatitur ta shpërbëjë Komitetin kontestues për menaxhim me Gazën, siç paraprakisht ishte Abas. Abas e pengoi furnizimin në Gazë me energji elektrike dhe i zvogëloi pagat e dhjetëra mijëra nëpunësve publikë në tentimin ta detyrojë Hamasin për ta shpërbërë Komitetin. Hamasi kërkoi nga Abasi t’i heqë serinë e masave të ndërmarra kundër grupit islamik ekstremist para se të fillojnë negociatat për arritjen e marrëveshjes për pajtim.
Kryeministri palestinez Rami al Hamdalla, i cili është anëtar i Fatah, në fillim të muajit e vizitoi Rripin e Gazës në kuadër të tentimeve për pajtim midis dy organizatave kundërshtare palestineze. Fatah ka kontroll ndaj Bregut Perëndimor ndërsa Hamas më shumë se një dekadë e kontrollon Rripin e Gazës. Në takimin me përfaqësuesit e Hamasit, Hamdalla tha se rruga e vetme ndaj shtetësisë është përmes bashkëpunimit midis dy organizatave. Përçarjet midis fraksioneve rivale palestineze ka ndodhur në vitin 2007, kur Hamas nga Gaza i dëboi forcat besnike të Abasit. Prej atëherë kishte shumë tentime të pasuksesshme për pajtim.