Hamami, një vlerë e rrezikuar e trashëgimisë

Patriot LUMANI

Strugë, 6 prill – Qytetarë të Strugës deri te pushteti vendor kanë ngritur shqetësimin rreth izolimit me llamarina të hamamit të qytetit të Strugës. Kryetari i Komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, në lidhje me këtë problematik potencoi se me të marrë këto shqetësime inspektorët komunal kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë informuar institucionet përkatëse në lidhje me situatën në fjalë, shkruan gazeta KOHA. Ndërkohë, nga Myftinia e Strugës, informojnë se ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore pas një njohje të njëanshme të një prone në afërsi (i është dhuruar një qytetari me vendim gjykate), e cila ishte vakëf, është izoluar dhe nuk ka qasje deri te ky objekt. Salim Sulejmani, myftiu i Strugës, thekson se ky objekt i përket qytetarëve të Strugës dhe si i tillë duhet të shndërrohet në një objekt të vizitueshëm si për turistët, ashtu dhe në dobi të aktiviteteve kulturore në fushën e artit pamor. Sulejmani sqaron se ky objekt i rëndësishëm 5 shekullor, deri në vitin 1954 ka qenë në pronësi të Bashkësisë Islame, ndërsa që nga ai vit është marrë në pronësi të shtetit të atëhershëm komunisto-ateist, ndërsa në vitin 1993 me vendim gjykate, një pjesë e ambienteve ndihmëse të hamamit i janë dhuruar një qytetari të Strugës, i cili ishte lejuar aty të qëndrojë, sepse kujdesej për hamamin. Sot hamami, potencoi Myftiu i Strugës, është në pronësi të shtetit dhe si i tillë duhet t’i kthehet Bashkësisë Fetare Islame, ndërsa situata më e fundit ka të bëjë me faktin që pas këtij dhurimi të dyshimtë hamami është izoluar, sepse është pamundësuar shkuarja fizike në të.

“Hamami duhet t’i rikthehet në pronësi Bashkësisë Islame, ndërsa edhe pjesa e dhuruar e pronës me të cilën u izolua ky objekt, duhet t’i rikthehet Bashkësisë Islame. Deri tani, në disa raste kemi patur donatorë të interesuar që ky monument i ndërtuar para pesë shekujve të shndërrohet në një objekt të vizitueshëm dhe në dobi të komunitetit. Ne si Myftini nuk duam që ai objekt të bëhet një pronë e jona në kuptimin e parë të fjalës, por të shndërrohet në një monument në shërbim të komunitetit, ku fare mirë mund të organizohen aktivitete kulturore dhe ekspozita të ndryshme. Ne presim nga institucionet kompetente të bëjnë detyrën në mënyrë që ky monument i rëndësishëm jo vetëm për Strugën, por edhe më gjerë të mos shkatërrohet, por të ruhet dhe të vihet në funksion të komunitetit dhe turizmit”, thotë për KOHA, Sulejmani.

Pas finalizimit të punimeve për zgjerimin dhe konservimin e xhamisë “Mustafa Çelebiu”, një nga objektet sakrale nga më të vjetra të besimit islam në qytetin e Strugës si dhe ndërtimit të selisë së Myftinisë falë ndihmës së Turqisë, nga Myftinia e Strugës janë optimistë se edhe projekte të tjera do konkretizohen. Një nga objektet e trashëgimisë kulturore, por edhe fetare që pret ndërhyrjen është Hamami i xhamisë “Mustafa Çelebiu”. Duke ditur rëndësinë dhe historikun e kësaj xhamie dhe identifikimin e saj me Strugën, ku bie në sy elementi kombëtar dhe ai fetar, finalizimi i këtij projekti merr një rëndësi të veçantë për këtë hapësirë. Ajo që bien në sy tashmë pas ndërhyrjes është fakti që Struga fitoi një xhami mbresëlënëse dhe dinjitoze në respekt të arkitekturës burimore.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara