Sa here që bëhet fjalë për Ballkanin, Europa mban ders për vlera, besime, norma, qëndrime, … të një qytetërimi të lartë; në fakt ajo, akoma s’mund t’i shkund nga vetja paragjykimet e saj. Akoma, vendos politikisht për fatin tone, në bazë të paragjykimeve që i paskësh ndaj nesh. Dhe, kur këto paragjykime kombinohen me 28 numra; anëtarësimi në BE, na del sikur ta luajmë kumarin e popullarizuar në Europë “Euromilion”
Nga Shaqir ISLAMI
Disa ditë më pare, 9 shtete të BE-së e nxorën në publik një dokument ‘non-paper’ si karshillëk ndaj ‘non-paper-it’ ogurzi Francez, ky i cili, gjoja se, na paskësh qenë ” për rishqyrtimin e modelit të vjetruar të procesit të zgjerimit të anëtarësisë në BE”! Pra, sipas “non-paper’it” Francez, na u dashka ndërruar metodologjia gjatë këtij procesi të anëtarësimit; bash kur, u erdhi radha shtetit tim të gjorë dhe Shqipërisë fqinje mjerane, ta nisin procesin e anëtarësimit! E kam për detyrë dhe nder ndaj lexuesve që ta shpjegoj këtë shprehje, ‘non-paper’: do të thotë, “një njoftim diplomatik jozyrtarë, i cili qarkullon në publik pa vulë zyrtare”. Pa ofendime, edhe autori s’e kishte të qartë; e mësova nga “mixha plak ‘Gogle’, siç e quajnë popullorçe në nahinë time.
Dokumenti i ‘nëntë shteteve’, e kundërshton atë ‘ogurziun’ Francez; bile, ky ‘non-paper’, sipas gazetarit JACOPO BARIGAZZI, botuar në “politico.eu”përmend një fjali që dihet botërisht, për sjelljen arrogante dhe lozakoqe të Europës ndaj Ballkanit Perëndimorë. Gazetari i politico.eu citon: Dokumenti deklaron se, duhet të ketë “një qasje të përmirësuar, të mos ketë paragjykime në vendimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, Pra, akoma, paragjykimet Europiane ndaj Ballkanit nuk prajnë! Ballkani është peng dhe viktimë e paragjykimeve të një grusht zyrtarësh të BE-së! Më falni, në shprehjen e turpshme, të cilëve u ha palla për gjeografi dhe drejtësi!!!
Jemi koshient se, sa here bëhet fjalë për Ballkanin, … Europa ballkanizohet mendësisht! Për habi, në Ballkan, Europa i ka përkrahur, dhe i akoma i përkrah zullumqarët ndaj njerëzimit; i ledhaton ata dhe mbi të gjitha i shpërblen! Siç dihet, edhe nga historitë tona mjerane, Ballkanin e ka ballkanizuar vet Europa me përbuzjen e saj. Pasi, para jo shumë kohësh Europa vet ka qenë, më tej se e Ballkanizuar.
Nuk ka më dyshim, Europa e uren Ballkanin ! Europa, sa here dhe kur do, luan koqet dhe kumar me Ballkanin; ose, e do, siç e do prindi fëminë e vet të retarduar. Akoma nuk e keni të qartë se, pse nuk na do Europa? Ja u them unë, nuk na do, sepse i dukemi si vetja e saj, në të kaluarën shumë të afërt. Europa nuk na do, sepse jemi pjellë e degjeneruar e interesave politike dhe ekonomike të saj. Ballkani është pasqyra e vet Europës.
Politikat Europiane të shekullit të fundit na kanë shpërfytyruar dhe na e kanë stisur këtë shëmbëlltyrë të gërditshme dhe të përbuzshme. Sa here që hidhërohet me fuqitë më të mëdha se ajo, kthehet kah Ballkani dhe na bën për pesë pare! Ballkani i shërben Europës si gropë – septike, ku shfrynë dhe derdh vrerin dhe helmet morale të saj. Për të gjitha dështimet e veta në arenën globale , e akuzon dhe e dënon Ballkanin, duke e ballkanizuar dhe më shumë. Pasi, po të mos qe Ballkani, nuk do kishte kujt t’ia shfryjë mllefin dhe arrogancën e saj narcisoide.
Pra, autori i shëmtisë sonë është vet Europa. Sekush e urren dhe e fut në subkoshiencë autorësinë e një vepre të shëmtuar. Dhe sot, moralizon mbi kurrizin tonë të dërmuar ! Na e tall fukarallëkun! Dhe na josh dhe mashtron me premtime kalamash. Dhe, çfarë na ofruaka ! Anëtarësim në Europë !
Allo Ojropa, lexoni etimologjinë e emrit tuaj. Studioni gjeografinë! Ua dhjefsha emrin!
Sa here që bëhet fjalë për Ballkanin, Europa mban ders për vlera, besime, norma, qëndrime, … të një qytetërimi të lartë; në fakt ajo, akoma s’mund t’i shkund nga vetja paragjykimet e saj. Akoma, vendos politikisht për fatin tone, në bazë të paragjykimeve që i paskësh ndaj nesh. Dhe, kur këto paragjykime kombinohen me 28 numra; anëtarësimi në BE, na del sikur ta luajmë kumarin e popullarizuar në Europë “Euromilion”. Simbas, paragjykimeve të tyre, aq janë shanset tona për t’u anëtarësuar në klubin e tyre.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)