Persona me dosje kriminale emërohen në poste udhëheqëse në ANS. Shkelet Ligji, shkelen rekomandimet e ekspertëve të NATO-s, shkelet Marrëveshja e Ohrit. Në vend të depolitizimit të shërbimit sekret, në sytë tanë po bëhet një UDB-a e re. Kjo situatë ka shqetësuar shqiptarët që punojnë aty. I mundshëm rebelimi i tyre
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 25 shtator – E themeluar me qëllim depolitizimin e shërbimeve sekrete, Agjencia Nacionale e Sigurisë (ish-Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim), duket se ka filluar me punë si mos më keq. Në fakt, vetëm për depolitizim të këtij shërbimi sekret nuk mundet të flitet. ANS, e cila tashmë i përgjigjet drejtpërdrejt Qeverisë dhe jo ministrit të Punëve të Brendshme, ka rikthyer kuadrot e diskutueshëm të LSDM-së ndërsa po vazhdon më trysninë ndaj kuadrove shqiptare. Përfaqësimi i shqiptarëve me selektimin e ri në ANS mbetet nën 17 për qind, ndërkohë që gazeta KOHA merr vesh se në renditjen vertikale në sektorë të shumtë të ANS, përfaqësimi mbetet larg Marrëveshjes së Ohrit.
Madje, edhe ata pak shqiptarë që plotësojnë kushtet e kërkuara me Ligj për ngritje në detyrë, pengohen dhe nuk janë selektuar si pjesë e këtij shërbimi sekret. Kjo, siç merr vesh KOHA, me të vetmin qëllim që të mos udhëheqin me sektorët e ANS-së. E kundërta ndodhë me kuadrot maqedonase. Pakënaqësi të shumta tashmë janë shfaqur tek kuadrot shqiptarë, të cilët kanë paralajmëruar “rebelim” ndaj vendimeve të drejtorit të ANS-së.
PJESË E AKS-së edhe MONTUESIT E SOPOTIT
Protagonist i gjithë këtij procesi është vetë drejtori i ANS-së, Viktor Dimovski, për të cilin thuhet se në bashkëpunim të ngushtë me ministrin e Punëve të Brendshëm, Oliver Spasovski, është duke ia dhënë formën ANS-së sipas qejfit të strkukturave antishqiptare të LSDM-së. Në këtë qëllim, ata nuk kanë hezituar të shkelin edhe shumë rekomandime nga ekspertë të NATO-s, të cilët nga drejtori Dimovski nuk janë përfillur.
Në kundërshtim të plotë me Ligjin, Dimovski i ka ndarë postin e shefit të ANS-së për Prilep një kandidati maqedonas, i cili ende nuk ishte pranuar në Agjencinë e re nga Komisioni përkatës selektues. Përveç kësaj, ka rezultuar se i njëjti posedon jo më pak se 5 padi penale të ngritura ndaj tij.
Në Manastir ka caktuar për shef një agjent problematik, i njohur në këtë qytet si zhvatës. Komisioni të cilin e kryeson vetë drejtori Dimovski, ende nuk ka hedhur poshtë kandidaturat e 7 personave me shtetësi të dysfishtë, shumica me prejardhje nga Pusteci i Shqipërisë. Edhe kjo është në kundërshtim me Ligjin, si dhe rekomandimet e ekspertëve të NATO-s, sepse aplikimet e personave me dyshtetësi as që duhet të merren në kosnideratë, por kjo nuk vlen për Komisionin në fjalë. Shkaku duhet të jetë në faktin se ata më parë kanë punuar në përgjimin e telefonatave të shqiptarëve, pasi të njëjtit e flasin edhe gjuhën shqipe. Në ndërkohë, Dimovski, kuadër i vjetër i LSDM-së, ka gjetur vend në Agjenci edhe për agjentët që ndër vite kanë qenë pjesë e operacioneve që në mesin e shqiptarëve njihen si “rastet e montuara politike”, siç ishte edhe rasti i Sopotit, ku pas 15 viteve vuajtje në burg, personat e njejtë u shpallën të pafajshëm. Në mesin e këtyre emrave që morën pjesë në realizimin e aksionit të Sopotit, janë personat Robert Jovanovski, Mile Velkovski dhe Boban Stojanovski. Të gjithë këta pa asnjë problem u pranuan dhe do ta mbrojnë sigurinë e shtetit edhe në të ardhmen, edhe pse të njëjtit nuk u përgjigjën as për dhunën e ushtruar ndaj të akuzuarve, as për montimin e rastit, por as për dëmtimin e Buxhetit të shtetit që u pasua me dëmshpërblimin e të akuzuarve pas shpalljes të pafajshëm nga Gjykata e Shkupit.
I fundit nga kjo listë, Boban Stojanovski, është i njohur edhe për dy raste tjera. Në rastin e aferës “Spiuni”, Stojanovski ishte ndër 18 personat e arrestuar, por më vonë u la i lirë. Kjo nuk është e gjitha. Me emrin e tij lidhet edhe rasti “Monstra”, ku si shef i Sektorit për Antiterrorizëm, ishte një ndër organizatorët e aksionit për arrestimin e të dyshuarve, gjithsej afër 50 persona, në mesine tyre edhe gra e pleq.
KUR MBIVOTOHET ANËTARI SHQIPTAR
Përveç pranimit të këtyre kuadrove më dosje të dyshimtë, disa edhe kriminale, nga ana tjetër Viktor Dimovski dhe Komisioni që drejton ai, ka refuzuar aplikimet e disa kuadrove shqiptare me arsyetime banale dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin. Disa prej tyre kanë edhe kareierë shumëvjeçare dhe kanë qenë të vetmit që plotësojnë kushtet ligjore për t’u emëruar në poste udhëheqëse. Për të penguar emërimin e tyre, ndaj këtyre kuadrove shqiptare janë shpikur arsye më banale, si psh. konflikt interesi etj, të cilat nuk i parashef as Ligji, pavarësisht që disa kanë edhe 17-20 vite karrierë në DSK.
Të gjitha këto padrejtësi janë bërë para syve të një anëtari shqiptar të Komisionit 5-anëtarësh, i cili siç mëson gazeta KOHA, ka kundërshtuar, por pa sukses.
Gazeta KOHA mëson se gjithë këto padrejtësi në ANS kanë acaruar edhe marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit BDI-LSDM dhe nuk është çudi që kjo situatë të eskalojë edhe publikisht. Sidoqoftë, mbetet përshtypja se LSDM në këtë proces është duke dashur ta bëjë nga ANS një shërbim me njerëzit e vetë dhe të besuar, e cila në të ardhmen do të mund të keqpërdoret për qëllime politike sikurse ishte edhe përvoja e deritashme me DSK.
Ndryshe, ANS filloi zyrtarisht me punë më 1 shtator, ndërsa për punën e saj, ajo do të raportojë para Qeverisë. ANS, sipas Ligjit, do të jetë institucion jashtë Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse puna e saj do të kontrollohet nga komisioni parlamentar dhe nga sektori civil.
KOHA PYET DIMOVSKIN, AI ZGJEDH HESHTJEN
Përkundër thirrjeve dhe porosive në telefon nga gazeta KOHA, me qëllim konfirmimin e të gjitha ndodhive në ANS, drejtori Viktor Dimovski, deri në mbyllje të gazetës, injoroi pyetjet tona.
NENI QË PËRCAKTON PËRFAQËSIMIN E DREJTË NË AKS
Neni 68, alineja e parë e Ligjit për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë thotë se, gjatë punësimeve, “Agjencia është e obliguar të respektojë parimin e drejtë të përfaqësimit të të gjithë qytetarëve, në të gjitha nivelet duke i respektuar kriteret dhe profesionalizimit”. Alineja 2 e po këtij ligji ndalon diskriminim direkt apo indirekt të të paraqiturve për punë në Agjenci, ndërsa ndalohet po ashtu edhe vënia në pozitë jo të barabartë të të punësuarve nga shkaqe të etnike, të pasurisë familjare, statusit social, gjinor dhe fetar. (koha.mk)