Shkup, 24 shtator – Pakënaqësi e madhe mbretëron brenda Agjencisë Nacionale për Siguri (ANS) për shkak të mënyrës së zgjedhjes së kuadrove të rinj të cilët do të punojnë në këtë Agjenci të sapoformuar, e mundshme është edhe revolta, rebelimi dhe dorëheqja e kuadrit të zgjedhur shqiptarë deri më tani, thonë burime të gazetës KOHA nga shërbimet e sigurisë.
Sipas burimeve të gazetës KOHA, eliminohet kuadër profesional me përvojë 15 deri 50 vjeç në Drejtorinë e Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), edhe atë me arsyetime antiligjore, ndërkohë që pranohen persona të cilët nuk i plotësojnë kriteret ligjore.
Kësisoj për shef të ANS-së në Prilep, është emëruar person ndaj të cilit janë ngritur 5 kallzime penale. I njëjti është emëruar në këtë detyrë në mënyrë të paligjshme. Në mesin e të punësuarve të ri në ANS ka persona të cilët kanë qenë të arrestuar me dyshimin se kanë pasur lidhje me aferën “Spiunazhi”. ANS në gjirin e saj pranoi edhe ish të punësuarit në shërbimin sekret të cilët kanë udhëhequr me rastin e Sopotit, në të cilin pas 15 vitesh vuajtjes të burgut, u vërtetua se të dënuarit ishin të pafajshëm. Midis tjerash, për shkak të joprofesionalitetit të tyre, shteti u obligua që në formë të dëmshpërblimit viktimave t’u paguaj 1.2 milionë euro, shkruan KOHA. Kuadrit të tillë në vend se ti kërkohet llogari nga Prokurori i përgjithshëm, ai shpërblehet me poste të reja. Por, kjo nuk është e gjitha. Sipas burimeve të gazetës KOHA, në kundërshtim me ligjin dhe rekomandimet e ekspertëve të NATO-s, Komisioni pranë ANS-së ende nuk i ka refuzuar aplikimet e personave me shtetësi të dyfishtë, shumica e tyre ish të punësuar në DSK nga Pusteci, të cilët kanë qenë të angazhuar kryesisht në ndjekjen e komunikimeve të të dyshuarave shqiptarë. Për dallim nga këto kuadro, shqiptarët të cilët punojnë më shumë se 17 vjet në DSK, janë refuzuar me arsyetime banale, vetëm për faktin se ato i plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë në pozita udhëheqëse në ANS.
Si rezultat i punës së tillë të deritanishme të ANS-së, nuk do të respektohet as baza kryesore e Marrëveshjes së Ohrit me të cilën rregullohet përfaqësimi proporcional. Për shkak të të gjitha këtyre skandaleve, KOHA mëson se është alarmuar edhe BDI-ja e Ali Ahmetit, e cila është në komunikim të përhershëm me LSDM-në me qëllim që mos të vie deri të eskalimi i situatës në ANS, me të cilën udhëheq drejtori Viktor Dimovski. KOHA për të gjithë këto informacione dhe trazira brenda ANS-së, ka kërkuar deklaratë edhe nga drejtori i ANS-së, por ai në vend të deklarimit, ka vendosur të hesht. (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)