Pas reagimit të sotshëm të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe kërkesës deri te të gjitha institucionet që të pastrohet incidenti sa më shpejtë, sot, pasdite, u paraqit edhe kryetarja e Komunës së Haraçinës Milikije Halimi. Ajo i bashkohet dënimit të kësaj ngjarjeje dhe kërkoi të zbardhet rasti, përcjellë KOHA.
“E dënoj fuqishëm ngjarjen e pahijshme brenda zyrave te komunës. Si e para e Komunës, do te angazhohem personalisht raste te tilla mos te ndodhin asnjëherë. Fjala e lire, informimi publik dhe puna e mediumeve janë te shenjta dhe fuqishëm qëndroj pas këtyre vlerave, te cilat janë te garantuara edhe me Kushtetute. Pres dhe u kërkoj institucioneve përgjegjëse sa me shpejte ta zbardhin ketë ngjarje dhe personat përgjegjës te marrin sanksionimin e merituar”, shkruan në përgjigjen që Halimi ia dërgoi SHGM-së, përcjellë KOHA.
SHGM sot dënoi këtë sjellje dhunuese dhe primitive me të cilën u përballuan kolegët nga TV21, dhe tha se ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe paraqesin sulm ndaj lirisë së informimit dhe është ndërhyrje klasike në kryerjen e punës së gazetarëve.
SHGM përshëndet reagimin e shpejt të kryetares Milikije Halimi dhe njëkohësisht kërkon hetim të shpejt dhe efikas nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme. (koha.mk)