Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Festim Halili sot mori pjesë në Panairin e karrierës të organizuar për të dymbëdhjetën herë me radhë në Universitetin e Evropës Juglindore. Në këtë eveniment të rëndësishëm për udhëzim të karrierës, Halili tha se tani më shumë se kurrë perspektivat e karrierës së të rinjve varen nga kompetencat dhe qëndrimet pozitive që ata fitojnë nëpërmjet edukimit dhe trajnimeve.
“Për të mprehur përparësitë konkurruese dhe për të kapërcyer sfidat e ardhshme, duhet t’i pajisim të rinjtë tanë me aftësitë dhe njohuritë përkatëse, në mënyrë që ata të mund të konkurrojnë dhe të lulëzojnë në skenën botërore. Ky eveniment është një mundësi shtesë për t’i pajisur studentët me kompetencat e nevojshme dhe për të futur në to vlerat që ata kanë nevojë për të marrë vendime të duhura në fazat kritike për një tranzicion të suksesshëm nga edukimi në botën e punës”, tha Halili. Ai poashtu i bëri thirrje të gjithë partnerëve dhe aktorëve socialë, si prindërit, mësuesit, punëdhënësit, komunitetin e biznesit dhe krijuesit e politikave të punësimit për mbështetje të plotë në përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe udhëzimeve të karrierës që ofrohen brenda institucioneve arsimore dhe në vendet e punës.