Delvina KËRLUKU
KOHA: A mund të na flisni pak për fëmijërinë tuaj?
ZENDELI: Në arkivin e mendjes sime janë shtresuar shumë ngjarje e ndodhi që, pak nga pak, për çdo ditë sikur ngjallen e bëhen të freskëta në kujtimet e mia dhe rëndojnë mbi një copë jete që më ka mbetur pa u shkelur deri në… Të gjitha këto kujtime sikur ia zënë frymën vullnetit tim, dashurisë për jetën, interesimit për punën, për shoqërinë e gjithçka tjetër… Sado që përpiqem t’ua zë rrugën, t’jua zë pritën, ato, megjithatë, mbijnë nga harresa dhe bëhen pjesë e mendimeve të mia… Për kot i them kësaj kokës sime që t’i mbyllë, t’i lë të konservuara si ndonjë thesar i çmuar, atje ku kanë qenë, në arkën e sendeve të vjetruara… Më dalin para syve personazhe të ndryshme nga jeta ime fëmijërore e rinore, protagonistë të ngjarjeve të ndryshme që sot më sillen vërdallë në mendje. Nga të gjitha këto kujtime që i përkasin të kaluarës, po aq të freskëta dhe të afërta, me trup pak sa të rraskapitur, me ndjenja të dashurisë dhe zhgënjimeve, është jeta ime e mbetur pas. Herë pas here më pushton një mall, ku mblidhen e shkrihen shumë kujtime, disa të zbehura, si atëherë kur gjyshi im që kthehej nga pazari me duqit përplot, duke më shtrënguar në prehrin e tij në maje të karrocës me një palë rrota, shtrati i vdekjes së tij, kur unë isha në klasë të parë, vithet e pelës duke i shtrirë duart për t’u kapur ndër palldëm, malit përpjetë për të sjellë një barrë dru në shtëpinë skaj katundit… Një jetë kjo e rëndë, që paraqiste një zinxhir përditshmërie, me shumë mundime e rropatje. Këtë jetë të mundimshme, si edhe shumica e bashkëvendësve të mi, e ndjente edhe babai im, duke punuar rrugëve të Beogradit, si dhe e nënës sime, të cilën e kujtoj me shumë mall, duke punuar djerrinat, me ne gjashtë fëmijët, për një kokërr drithi… Çdo njeri mban përjetë një dhembje në shpirt e zemër. Kjo është një dhembje e tij, dhe vetëm e tij, e fshehur në vetveten dhe qenien e tij. Është një mall e kujtim që rrallë shpërthen nga zemra e barku. Gjyshja ime e mjerë, si çdo gjyshe, na donte shumë. Ne, gjashtë fëmijëve, si gjashtë zogj, na mblidhte në shtratin e saj. Malli për të, edhe sot kur unë jam bërë gjysh, nuk më shuhet. Më çonte e më merrte në krah në klasën e parë të shkollës fillore. Shpeshherë nga oborri i shtëpisë, duke luajtur si fëmijë, dëgjoja vajin e saj, nga ahuri. Ajo vajtonte xhaxhain tim, Zizin (Azizin) që ishte vrarë në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare në luftën e mallkuar të Sremit. Filloja të qaja edhe unë, sepse zëri i saj vajtues të përvëlonte shpirtin. Vonë e mora vesh nga babai im se ç’kishte qenë lufta apo Froni i Sremit. Se ajo kishte qenë një kasaphane për shqiptarët, të cilët i kishin marrë me zor nga shtëpia, në të ashtuquajtur Brigada VII shqiptare… Edhe sot e kësaj dite, sa herë që kujtoj gjyshen me ato rrudhat në fytyrë, ballë e duar, me flokë të thinjura, të rralluara dhe të përpushur, që i mbulonte me shaminë lidhur përqafe, me mitanin me sumbulla veshur mbi një këmishë të hollë pambuku, përmbi dimi të qepura nga nëna ime, duke shëtitur herë nëpër oborr me një bastun e herë ulur në një karrige të vjetruar druri, dëgjoj zërin e saj vajtues për vrasjen e xhaxhait tim, kujtoj ditët kur ajo, në moshën gjashtëvjeçare, më çonte e më merrte në krah nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Kur i kujtoj ato vite të fëmijërisë më del përpara edhe trupi e fytyra e lodhur mësuesit Zija Roshi nga Shqipëria. Këtë, po në ato vite, kur unë isha në klasë të parë, e burgosi UDB-ja, duke e shpifur dikush se gjoja kishte thënë “matanë maleve është Shqipëria…”
KOHA: Tetëvjeçaren dhe gjimnazin i keni kryer në Gostivar. Keni udhëtuar nga katërmbëdhjetë kilometra në ditë në të dy drejtimet. Ç’ ju kujtohet nga ajo kohë?
ZENDELI: Po, tetëvjeçaren dhe gjimnazin i kam kryer në Gostivar. Udhëtonim me shokët e tjerë të Llakavicës nga katërmbëdhjetë kilometra në ditë, në kushte të vështira, në shi e borë për të mbërritur në orën e parë, në mësimin e paradites, kurse në ndërrimin e pasdites, në mbrëmje vonë ktheheshim në fshat, duhej të ecnim në këmbë, sepse komunikacion tjetër për në Llakavicë nuk kishte në atë kohë. Duhet ta theksoj, aq sa mbaj mend, në këtë kohë, pra si nxënës i klasës së pestë, disa qytetarë që mbaheshin turq, na gjuanin me gurë duke na thënë në turqishte “shkoni në fshat, ikni nga qyteti, qyvli”. Megjithatë, disa familje qytetare, fëmijët e tyre, si ajo Agai (e Agallarëve), e Taravarëve, e Stafallarëve, e Kasëve dhe disa të tjera, dashamirë të arsimit shqip, kur kalonim përreth shtëpive të tyre, na dilnin në mbrojtje dhe na përcillnin kur shkonim e dilnim nga shkolla… Ndërkaq, unë i përkas gjeneratës së parë të gjimnazit në gjuhën shqipe në Gostivar. Shumë nxënës të Llakavicës, nga hapja e paraleleve të para e tutje edhe pse në kushte shumë të vështira, duke udhëtuar në këmbë nga katërmbëdhjetë kilometra siç thash më lart, në të dy drejtimet, shumica mbaruan shkollën e mesme dhe më vonë edhe fakultete dhe sot janë profesorë, juristë, mjekë, arsimtarë, gazetarë etj. dhe njihet si fshat me shumë intelektualë… Mustafë Ismaili, arsimtar, primarius Dr. Miftar Kurti, Dr. Refet Ferati prof. dr.Veli Veliu, janë ndër gjeneratat e para të intelektualëve të fshatit Llakavicë, pra para gjeneratës sime. Po ashtu nga Llakavica është edhe babai i nobelistit Ferid Murati…
KOHA: Disa vite të rinisë suaj i keni kaluar në Kosovë. Më saktësisht, keni punuar si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në gjimnazin e Vitisë dhe të Ferizajit. Si ndodhi që ju të largoheni nga Gostivari dhe më vonë të ktheheni në Shkup e jo në vendlindjen tuaj?
ZENDELI: Në disa nga botimet e mia, në biografinë time të shkurtër, e kam përmendur se kam punuar në gjimnazin e Vitisë dhe të Ferizajit. Por, deri tani, drejtpërdrejt, gjatë këtyre viteve këtu në Shkup, askush nuk më ka pyetur për arsyen e shkuarjes sime në Kosovë dhe kthimin tim në Shkup. Pra, ju jeni e para që ma shtroni këtë pyetje për të cilën e kam vështirë të përgjigjem, sepse thjesht s’dua t’ju kthehem atyre viteve të hidhura e me shumë ethe, kur shumë intelektualë shqiptarë, të përndjekur e larguar nga puna në Maqedoni, sidomos nga fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë, gjenin punë e pak rehati në Kosovë… Më larguan nga puna më 1969, pas disa muaj “mbajtje” në Gostivar dhe në Shutkën e Shkupit (i akuzuar për flamurin, nacionalizëm e irredentizëm, bashkë me një shok e familjar timin, Nazif Selimi, më vonë gazetar), u detyrova të gjej punë në Kosovë. Duhej të mbaja familjen në atë kohë, babai nuk mund të punonte më në kurbet. Mundohej nëna me motrat e vëllain më të vogël të punonin në atë copë fushe e mali… Më pranuan profesor në gjimnazin e Vitisë e një vit pas në gjimnazin e Ferizajit. Atje gjeta edhe shumë shokë të tjerë nga Tetova, Gostivari, Kërçova e Kumanova…, të cilët kishin përjetuar të njëjtin fat… Shokët nga Kosova, drejtorë e profesorë, na pranuan shumë mirë dhe kishin konsiderata ndaj nesh dhe sot e kësaj dite u jam mirënjohës…
KOHA: Ju thatë se keni punuar disa vite në Kosovë dhe jeni mirënjohës për këtë. Kam lexuar diku se ke ndihmuar më 1999. Na thoni se çfarë ndihme ka qenë ajo?
ZENDELI: Nuk kam dëshirë të flas për do punë që i kam bërë, sado që të vogla janë ato, mirëpo për rastin konkret – mund të lexoni në librin e Mehmet Kajtazit “Lindje në qiell”, ku edhe unë jam njëri nga personazhet, botim i “Rilindjes” i vitit 2000.
KOHA: Po si ndodhi të ktheheni me punë në Shkup?
ZENDELI: Në Shkup jam kthyer më 1975. Sipas mendimit tim, ishte kjo një periudhë më liberale deri më 1981, kur filluan demonstratat në Kosovë. Në gazetën “Flaka”, me kryeredaktor Xhevat Gega, kishin hapur një konkurs për lektor. Unë nuk kisha njohuri për këtë, por një bashkëvendës e shok, që punonte në “Flakë”, Haki Selimi, erdhi në shtëpinë time në Llakavicë dhe më njoftoi për konkursin e shpallur. Pasi konkurrova, me testim, u pranova në vendin e punës lektor. Aty gjeta Naxhi Osmanin, një lektor i mrekullueshëm, gazetarët e redaktorët Mehmedali Hoxha, Fejzi Bojku, Naile Ajdini, Adem Gajtani, Teki Dervishin, Resul Shabanin, Xhabir Ahmetin, me të cilin njihesha prej studimeve, Eshtref Aliun, Sami Ibrahimin, Abdylhadi Zylfiqarin, Haki Selimin, shokë e bashkëvendas të mi, Neset Emini, Ramadan Beqiri, Ajri Shaqiri etj. Më vonë, sa më kujtohet, do të pranohen Mahi Nesimi, Nazif Zejnullahu, si dhe më të rinjtë në ato vite, sot emra të njohur të gazetarisë, Shkëlzen Halimi, Daut Dauti, Ahmet Selmani e disa të tjerë…
KOHA: Në gazetën ”Flaka” në fillim keni punuar si lektor e më vonë, siç kemi lexuar në libra, revista e gazeta, ju keni qenë një kohë redaktor përgjegjës në redaksinë e botimeve, redaktor përgjegjës në revistën për fëmijë “Fatosi”, redaktor në rubrikën e kulturës të Flakës, redaktor përgjegjës i revistës për kulturë, art e shkencë “Jehona”, si dhe nga fundi – zëvendëskryeredaktor i NJP “Flaka”. Na thoni diçka për punën tuaj në ato vite, nëse kujtoheni?
ZENDELI: Në atë kohë bëheshin ndryshime, bëheshin lëvizje prej gazetari në redaktor, prej një redaksie në tjetrën. Këto ndryshime inicioheshin nga kryeredaktori e që vendosej në kolegjium, të cilin e përbënin kryesisht redaktorët. Dhe, me ndërrimin e kryeredaktorëve, bëheshin edhe disa lëvizje të kuadrove. Kështu që unë u emërova redaktor përgjegjës i redaksisë së botimeve në kohën kur kryeredaktor ishte Rexhep Zllatku. Më vonë, në këtë redaksi u emërua edhe Resul Shabani. Ka qenë kjo një kohë shumë e vështirë, ku nga të gjitha anët sulmohej “Flaka”, sidomos për ndërrimin e toponimeve. Mendoj se në ato vite kryeredaktori, natyrisht, me kolegjiumin, gazetarët po edhe me të punësuarit e tjerë, u bëri ballë sulmeve që vinin njëra pas tjetrës nga jashtë, nga njerëz të politikës së atëhershme. Pra, siç dihet “Flaka” nuk i ndërroi toponimet. Botonim në atë kohë mbi njëzet e më shumë tituj të gjinive të ndryshme, por më shumë ishin vepra letrare, për të rritur e fëmijë, të sistemuara në disa biblioteka, “Jehona”, “Gëzimi”,”Fatosi, por edhe “Flaka”, me botime shkencore. Hartonim program botues, duke e arsyetuar çdo vepër, të cilin, me ndonjë vërejte eventuale, e miratonte këshilli botues, me kryetar dhe anëtarë të jashtëm. Me ndërrimin e kryeredaktorit, në kohën kur kryeredaktor emërohet, Fejzi Bojku, unë, pa dëshirën time, emërohem redaktor përgjegjës i revistës “Fatosi”, kurse Resul Shabani redaktor përgjegjës i revistës “Gëzimi”. Por, duket se më bënë mirë, sepse mësova sado pak, letërsinë për fëmijë. “Gëzimi” e “Fatosi”, që u dalluan për nga cilësia, arritën një tirazh prej 15-18 mijë kopjesh. Me ardhjen e Abdylhadi Zylfiqarit, kryeredaktor, u emërova redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Flaka”, duke botuar edhe një shtojcë javore nga lëmi i kulturës. Ndërkaq, më vonë, kur kryeredaktor u zgjodh Faik Mustafa, u emërova zëvendëskryeredaktor dhe , njëkohësisht, isha edhe redaktor përgjegjës i revistës për kulturë, art e shkencë “Jehona”, të cilën e mbante Rexhep Zllatku, deri me zgjedhjen e tij ministër i Informatave. Pas shkarkimit të kryeredaktorit Faik Mustafa, kryeredaktor emërohet Zeqirja Rexhepi deri në falimentimin apo likuidimin e saj…
KOHA: Megjithatë, “Flaka” nisi të dalë edhe disa muaj, ç’ndodhi atëherë?
ZENDELI: Është histori tjetër kjo. Vazhdoi të dalë edhe ndonjë muaj dhe e “vdiqën”, e humbën pa nam e nishan, bashkë me revistat për fëmijë “Gëzimi e “Fatosi” dhe kompletet e “Flakës” dhe revistave!
KOHA: E përmendët revistën “Jehona”. Në kuadër të ShB-së “Vatra” ju vazhdoni ta nxirrni këtë revistë?
ZENDELI: Po. Meqenëse viteve të fundit, kur isha zëvendëskryeredaktor dhe njëkohësisht isha edhe redaktor përgjegjës i kësaj reviste, për hir të kontinuitetit, më 2004 e regjistrova në kuadër të ShB-së “Vatra” me logon “Jehona e re”, sepse vetëm kështu mundesha ta regjistroj. Vazhdoj ta nxjerr për çdo vit nga disa numra në vit. Ndonjë numër e ka ndihmuar Ministria e Kulturës, por disa numra të saj i kam botuar me vetëfinancim. Vitin e kaluar, p.sh, Ministria nuk e ndihmoi botimin e saj, kurse sivjet vetëm një numër…
KOHA: Keni botuar vepra letrare e publicistike. Keni marrë edhe disa çmime?
ZENDELI: Kam botuar disa vëllime me tregime, tri drama, novela, roman dhe diçka nga publicistika “Mjegullinë”, tregime, “Shkëndija të rritura në diell”, (dramë), “Qëndrinë” (dramë), “Miqtë e Çatrafilit”, groteskë, “Dy drama”, “Shëngjergj pa nuse”, novelë, “Djajtë nuk vdesin”, tregime, “Vite çmendurie”, tregime, “Nobelisti Ferid Murati”, monografi (promovimi i këtij botimi u bë në Shtëpinë e kulturës në Tetovë, në Akademinë e Shkencave në Tiranë, si dhe më vonë në Shkup, në prezencë të Ferid Murati), “Heronjtë e heshtur”, roman, “Pikëpamje dhe reagime”, publicistikë etj. Disa nga botimet e mia i ka vlerësuar mirë kritika letrare këtu, në Kosovë e Shqipëri. Romanin tim që e botoi edhe “Logos A” – “Heronjtë e heshtur”, siç jam i informuar, do të botohet sivjet edhe në Shqipëri nga një shtëpi e njohur botuese. Pse të mos e theksoj se dy dramat janë vënë në skenë nga Teatri amator “Sander Prosi” në Mitrovicë nga regjisori Halit Berani dhe njëra dramë “Qëndrinë” në Festivalin e teatrove amatore zuri vendin e parë nga juria dhe u luajt thuajse në të gjitha qytetet e Kosovës. Ndërkaq, këtu në Shkup, në Teatrin shqiptar, nuk mund të vija në radhë, herë sot e herë nesër, nuk u bë. Jam i kënaqur se këtu te ne, të njëjtën dramë e kanë përgatitur me sukses shoqëri amatore… Megjithatë, nuk mendoj se kam bërë mrekulli në fushën e letërsisë, aq më tepër kur nuk dihen kufijtë e artit, ku fillon e ku mbaron! Fundja le të mbeten edhe si shkarravina…
KOHA: Sa e ndihmon Ministria e Kulturës librin shqip, sepse ju udhëhiqni me ShB “Vatra”, e cila, me sa di unë, është e afirmuar këtu, në Kosovë e Shqipëri?
ZENDELI: Mendoj se Ministria e Kulturës akoma nuk ka ndërtuar standarde të mirëfillta për veprimtarinë botuese, se kush duhet ndihmuar, pra nuk e bën një përzgjedhje se cilin botues duhet përkrahur, cilin autor me botim të pavarur etj. Janë disa botues, të cilët, me të gjitha dobësitë që mund t’i kenë, e kryejnë këtë veprimtari me mbi njëzet vjet, duke marrë pjesë nëpër panaire dhe prezantuar kulturën shqiptare gjithandej (“Logos A”, “Albas”, “Vatra”, “Shkupi”, “Asdreni”, “Çabej”, “Luma” dhe disa të tjera). Pra, nuk përkrahen botuesit, t’i quajmë të mirëfilltë për kushtet tona, ose përkrahen shumë pak, me ndonjë titull dhe me mjete që me zor mund t’i mbulojnë shpenzimet e shtypit, në kohën kur, sipas mendimit tim, shkalla e lexueshmërisë është në nivelin më të ulët… Mendoj se duhet përkrahur ato shtëpi botuese që vërtet, sadopak, do të lënë gjurmë në kulturën shqiptare.
KOHA: z.Halil, kohën e fundit keni botuar një libër me titull “Pikëpamje dhe reagime”. Aty, përveç tjerash, hasa në një reportazh të botuar në “Flakë” më 19 gusht 1990, me titull “Post festum tubimit për pajtimin e gjaqeve në Gostivar” (“Çegran e Forinë, ju lumtë!”), ku, pas botimit, fillojnë reagimet kundër jush nëpër gazetat maqedonase?
ZENDELI: M’i ktheni kujtimet në vitin 1990, kur unë botova në gazetën “Flaka” reportazhin me titull “Post festum tubimit për pajtimin e gjaqeve në Gostivar” (“Çegran e Forinë, ju lumtë!”). Ishte vërtet kjo një ngjarje e rëndësishme për atë kohë kur filluan tubimet për faljen e gjaqeve në Kosovë e Maqedoni. Shpërthyen reagimet nga Këshilli ekzekutiv i Gostivarit, duke i dhënë tubimit dhe reportazhit tim karakter nacionalist, nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Reagimet e tyre i botonte edhe “Nova Makedonija”, edhe “Flaka”. Më thirri drejtori i atëhershëm i NGB “Nova Makedonija”, Pande Kolemi¬shevski dhe m’u kërcënua me largim nga puna. Me siguri ndërhyri kryeredaktori Rexhep Zllatku, dhe kjo nuk ndodhi. Komunizmi jepte shpirt! Në mbrojtjen time atëherë doli edhe gazeta “Rilindja” me një reagim të Fadil Currit, të cilin atëherë nuk e njihja.
KOHA: Ju, z.Halili, keni fituar edhe dy çmime shtetërore?
ZENDELI: Po, kam fituar çmimin shtetëror “Nënë Tereza” për vitin 2010, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe tjetrin më 2012 për letërsi – “23 Tetori”. Në jetë përherë më ka rënduar modestia, nuk kam qenë adhurues i lëvdatave, i çmimeve për ndonjë punë të mirë që kam bërë. Më kanë nxitur shokë e miq që të konkurroja. Natyrisht, jam i nderuar që i kam marrë këto dy çmime. Mendoj se edhe shumë të tjerë i meritojnë këto çmime, bile edhe më shumë seç i kam merituar unë.
KOHA: Na thoni diçka edhe për familjen dhe punën tuaj sot?
ZENDELI: Familja për mua, si edhe për të gjithë të tjerët mendoj se është e shenjtë. I kam dy fëmijë të rritur, djalin Dritonin, magjistër i shkencave politike dhe diplomacisë dhe vajzën, Linditën, specialiste dhe magjistre e parodontologjisë dhe sëmundjeve të gojës, me punë në Klinikën e Shkupit dhe së shpejti duhet ta mbrojë disertacionin. I kam dy nipër nga djali, Lorentin dhe Blendin, si dhe dy nipër nga vajza – Rronin dhe Lirin, të cilët më kënaqin e më japin zemër. Po ashtu i kam edhe dy djemtë e nipit, Elvirit – Edi dhe Arbani. Të gjithë këta, si nipërit e mbesat e të tjerëve, janë mrekullia e Zotit! Përndryshe, akoma po punoj rreth botimeve, bashkë me gruan time, e cila udhëheq me “Vatrën” dhe kujdeset për punët e shtypshkronjës. Kam edhe vëllain, Hajron, profesor në gjimnazin e Gostivarit, si dhe katër motra (njëra nuk jeton më).
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.