Halil Kastratit i plotësohet ëndrra, fillojnë punimet për ndërtimin e Shtëpisë së Pleqve (FOTO)

1

Më iniciativë të humanistit Halil Kastrati, në mbrëmjen e sotme është inauguruar fillimi i punimeve të ndërtimit të shtëpisë së pleqve në fshatin Gjinoc të Suharekës. Në ceremoninë e fillimit të punimeve, i pranishëm ishte kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, përfaqësues tjerë të qeverisë kosovare, biznesmenë, përfaqësues të Kombëtares së Kosovës në futboll dhe artistë të estradës së Kosovës,  shkruan Alsat M, transmeton gazeta Koha.

Kryeministri Haradinaj u shpreh i lumtur për fillimin e ndërtimit të kësaj shtëpie, për të cilën tha se do të jetë nga më të mirat në vend. Ai premtoi se do të vazhdojë ndihma për ata që bënë çdo gjë për ne.

“Ne i falënderojmë të gjithë ata që do ta përkrahin ndërtimin e kësaj shtëpie të pleqve. Arian të pyeta më herët a do të këndosh ti a unë, dhe cili do që të këndojmë e ndreqim atmosferën, sepse kjo është një festë. Dua me përdor një shembull, por i lus mos të ma keqpërdorin mediat. Në Prishtinë janë nja dy çerdhe, janë shumë të çmuara, krejt Prishtina ka qejf me i dërguar fëmijët aty, edhe është shumë zor me vendos fëmijën aty. Bile kur shkon me dërguar fëmijën aty, thonë ‘po ta marrin fëmijën, nëse paguan edhe për një tjetër, për tanin dhe për një tjetër’. Kam dëgjuar se është rregull kjo. Mu po me duket se edhe këtu ka mu bë rreshti gjatë, sepse vendi i mirë, natyra e mirë, ndërtimi i mirë, njerëzit e mirë, koncepti i mirë. Si duket ka me u bë rreshti i gjatë se kush po vendoset i pari. Shpresoj shumë, që do të bashkohem shumë shpejt me inauguruar dhe këtu me gjet strehë njerëzit tanë, prindërit tanë, ata që kanë bë shumë për ne dhe për të cilët ne kurrë nuk kemi mu ndal me bë sa lypet”, tha Haradinaj.

Kryetari i Shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, Halil Kastarati duke folur për aktivitetet e shoqatës, tha se punën e kanë nisur pa e ditur se ku kanë me arrit, me të vetmin qellim të mundohemi t’i gjendemi afër njëri-tjetrit, me nudistë e tyre. Ai tregoi se deri më tani kanë ndërtuar 400 shtëpi, ndërsa deri në fund të vitit 2019, planifikojnë të ndërtojnë 800 shtëpi.

“Jetimët e Ballkanit këtë vit, mbushin 10 vite aktivitet. E ne në dhjetë vjetorin e themelimit të shoqatës tonë, po nis edhe finalizimi i këtij projekti, që gjatë kësaj periudhe 10 vjeçare, ne kemi mësuar, se është e domosdoshme për popullin tonë dhe për Kosovën. Kemi gjetur shumë prindër që Zoti s’u ka falur fëmijë, kemi shumë prej tyre që ne i mbajmë nën kujdes me gjëra ushqimore për çdo muaj. E pse mos ta kenë një vend si kjo. Mendoj që nuk do të ju mungon asnjë kush, në ato që ata kanë nevojë. Kryeministër, Jetimët e Ballkanit për tre vite e gjysmë kanë ndërtuar 400 shtëpi, Jetimët e Ballkanit, vetëm në muajin e Ramazanit kanë nis ndërtimin e 200 shtëpive tjera. Deri në fund të 2019, planifikojmë të finalizojmë 800 shtëpi”, tha Kastrati.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, duke i përshëndetur të pranishmit dhe veçmas përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë, asaj myslimane dhe katolike, ka thënë se kjo shtëpi i bashkon të gjithë.

“Kjo shtëpi na bashko të gjithëve, pa dallim feje dhe pa dallim partie politike. Kjo po ndodh në Komunën e Suharekës dhe besoj që do të vazhdojmë bashkë me punuar për ata që na linden, na rritën dhe na shkolluan. Ky nuk do të jetë donacioni i vetëm, por ne si komunë në bashkëpunim me Asamblenë Komunale, do të vazhdojmë edhe më tutje me punuar”, tha Muharremaj.

Komuna e Suharekës dhe Shoqata “Jetimët e Ballkanit”, më 10 maj të këtij viti, kanë nënshkruar kontratën për dhënien në shfrytëzim të hapësirë publike, për ndërtimin e objektit për personat që janë pa përkujdesje familjare. Ndërtimi i objektit do të kushtojë 2.3 milionë euro.

Comments are closed.