HALIL BILALLI: Së shpejti një album live kushtuar Pollogut (FOTO)

83

“Ndal tupana”, “Oj Gëzime”, “Tradhtare”, “Ti je vajzë për avanturë”… janë vetëm disa nga hitet që para shumë viteve janë dëgjuar me të madhe e që i ka kënduar këngëtari Halil Bilalli. Me siguri ju ka mbetur në mendje se çfarë bën ai tash, me çfarë merret dhe a vazhdon me muzikë? Për t’iu rikthyer në vëmendje, InfraRed e gazetës KOHA sjellë intervistën me të

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Çfarë vendi zë muzika në jetën tënde?

Muzika në jetën time zë vend shumë të rëndësishme për arsye se e kam profesion që e dua, por lirisht them se më shërben edhe për mirëmbajtjen e familjes.

KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes?

Në shumicën e rasteve po.

KOHA: Hiti yt i preferuar?

Definitifisht ‘Ndal tupana ju mos bini’.

KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?

Po për momentin jam duke punuar së bashku me grupin tim në një projekt të ri me disa këngë të përzgjedhura live, projekti do të ketë shumë këngë të kënduara edhe nga më parë, kryesisht do të jetë album me këngë të dedikuara Pollogut.

KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?

Edhe pse ajo kohë ka qenë rreth 3 dekada më parë por megjithatë më kujtohet si sot sepse ishte koha ku pjesa e teknologjisë ishte shumë më e dobët kështu që çdo gjë bëhej me shumë mund, qoftë në performancat live apo edhe në pjesën e studiove ku bëheshin inçizimet e këngëve. Mirëpo me përsosjen e teknologjisë tani është pak më lehtë, sa për kultivimin e muzikës në fillim të karrierës po është e saktë është kënduar vetëm muzika shqipe, por me kalimin e kohës gjithçka ka evoluar, jo se nuk këndohet kënga shqipe, por sa këndohet është një?

KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë…Si ndikoni në jetën dhe perceptimi tek publiku?

Padyshim se është ashtu sepse edhe vete unë e them çdo herë se pa publikun nuk do të isha këtu jam. Në shumicën e rasteve është pozitive.

KOHA: Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër?

Shpresoj se po, jo nuk kam menduar kurrë, sepse këtë profesion e dua…

KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën?

Kujdesem për familjen dhe normalisht çdoherë mendoj dhe punoj për projekte të radhës.

KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?

Problemet ngelen në shtëpi, sepse profesioni ynë kërkon që gjithmonë të jesh i disponuar.

KOHA: Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit?

Ushqimet tradicionale të cilat i gatuanin nënat dhe gjyshet tona me shumë dashuri dhe përkushtim.

KOHA: Receta e preferuar?

Padyshim flija me saç (qesh).

KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?

Edhe pse kam shëtitur shumicën e metropleve të Europës edhe në disa pjesë të Azisë për mua vendi më i bukur ngelet Stambolli.

KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?

Vitin e kaluar…

KOHA: Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?

Serioziteti dhe përkushtueshmëria.

KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?

Ti respektoj njerëzit pa dallim moshe, besimi, profesioni…

KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?

Shëtitje në natyrë, kryesisht ne malin Sharr.

KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?

Nektari vulosur, autori i veprës: Safijurr-Rrahman El Mubarekfuri.

KOHA: Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?

Në shumicën e rasteve ndodh shpeshherë që argëtohemi.

KOHA: Kënga që këndon në dush?

Nuk kam të veçantë, por varësisht si më vjen në moment pra çështje moment.

KOHA: Projektet që ju presin?

Siç e ceka më lartë jam i fokusuar në albumin live së bashku me grupin, kështu që shfrytëzoj rastin ti përshëndes gjithë grupin, Riskin, Albertin, Samirin, Ernesin gjithashtu e falënderoj gazetën tuaj për kohën që ma kushtuat mua.