Që prej gjashtë vitesh nga koha kur filloi lufta civile në Siri, qyteti i Halepit është kthyer në një “skamje” të vërtetë, raporton Anadolu Agency (AA). Qyteti i kthyer në një gërmadhë për shkak të sulmeve të regjimit, të mbështetura nga forcat ajrore ruse dhe militantët shitë me mbështetjen nga Irani, është kthyer gjithashtu në një vend ku jetesa e njerëzve po vështirësohet çdo ditë e më shumë. Njerëzit që arrijnë të iu mbijetojnë bombardimeve gjenden përballë urisë, etjes dhe luftës të pashpresë për mbijetesë. Qytetarët e Halepit të cilët kanë shumë vështirësi të gjejnë ujë, bukë, ilaçe, ushqim për fëmijë dhe produkte të ngjashme mundohen shumë për të marrë edhe një bukë të shpërndarë nga kamionçinat. Sapo vjen makina e bukës ata e rrethojnë menjëherë, ku në mesin e tyre ka fëmijë, pleq, gra, etj. Edhe pse ka një radhë të madhe ata janë të lumtur që arrijnë të gjejnë një bukë. Banorët e këtij qyteti duke treguar se shpresa e tyre po pakësohet çdo ditë e më shumë kërkojnë që të shtohen lutjet për ta si dhe bota të mos qëndrojë e heshtur. Në një deklaratë për AA përmes një telefonate, Faris ebu Islam, qytetar i Halepit, thotë se rajonet e përbëra nga turkmenët janë ndarë mes regjimit dhe organizatës terroriste PKK/PYD. Duke vënë në dukje se në duart e turkmenëve nuk ka asnjë zonë të kontrolluar Islam thotë se në vendin ku ata jetojnë nuk ka as spital për shërbimet shëndetësore.
“Zoti nuk do të na harrojë dhe do të na hapë një derë. Do të na shpëtojë. Tani vetëm Turqia është me ne. Vendet e tjera na kanë harruar. U bëj thirrje vëllezërve në Turqi të mos na harrojnë që Zoti të mos i harrojë ata”, tha Islam në vijim. Ndërkohë duke folur për gjendjen në Halep, Islam thotë se njerëzit atje po humbin jetën një e nga një. “Frika është gjëja më e madhe këtu. Të gjithë jetojnë duke mbajtur dorën në zemër. Ka zhurma bombash. Njerëz që qajnë. Ajo që përjetojnë njerëzit këtu e dinë vetëm ata dhe Zoti i tyre. Nuk ka energji elektrike. Nuk ka ujë. Një litër ujë blihet 20 lira. As bukë dhe gaz nuk ka. Ushqimet janë pakësuar në maksimum. Nuk gjejmë qumësht dhe as ushqim për fëmijët”, tregon ai. Islam thotë se njerëzit në Halep nuk kanë fuqi më të durojnë. “Jeta jonë kaloi, por fëmijët çfarë faj kanë?”, thotë ai. Duke theksuar se i janë shumë mirënjohës Turqisë, Islam në vijim shton: “Nëse nuk do të ishte Turqia dhe shteti i saj atëherë Asadi do të na kishte vrarë që me kohë. Uroj që Zoti ta mbrojë Turqinë, shtëpitë dhe fëmijët e qytetarëve të saj. Shpresa nuk vdes. Unë mendoj se do të jemi të suksesshëm. Lutuni për ne. Lutja është shumë e rëndësishme”. Ndërsa një tjetër qytetar i Halepit, Ahmet ebu Gaib thotë se gjendja në këtë qytet sa vjen dhe përkeqësohet. “Në duart e opozitarëve ka vetëm armë të lehta, ndërsa ata na sulmojnë me artileri të rëndë. E vetmja gjë që duan është të boshatisin qytetin. Ata që mbrojnë këtë qytet janë qytetar vendas”, thotë Ebu Gaib. “E kemi prerë shpresën nga të gjithë tashmë. Rreth e rrotull Halepit ka me mijëra ushtarë. Vendet arabe nuk e mbajtën fjalën e dhënë. Ata sillen sikur në Halep nuk ka ndodhur gjë. Kemi mbetur vetëm. Me ne kanë mbetur vetëm luftëtarët. Shpresa jonë e vetme është Zoti. Kam një thirrje për botën: ‘Të gjithë jeni përgjegjës për këtë. Një ditë do të dilni përpara Zotit dhe do të pyeteni për Sirinë dhe Halepin. Veçanërisht vendet arabe që nuk dërgojnë ndihmë. O muslimanë, dëgjoni dhe na ndihmoni pasi një ditë do të takohemi përpara Zotit”, shprehet ai.