Tenistja rumune Simona Halep e ka mbyllur vitin 2017 në krye të renditjes botërore, pavarësisht se në turneun e fundit të zhvilluar në Singapor u eliminua shpejt. Renditja botërore për femra është shumë e ngjeshur dhe në turnetë e parë të 2018-ës gjithçka mund të ndodhë. Madje grand slemi i “Australian Open” mund ta përmbysë renditjen, teksa rikthehet edhe një pretendente më shumë, si Serena Uilliams. Pavarësisht kësaj, Halep ka objektiva të qartë për të ardhmen:
“Tani po çlodhem, pasi ka qenë një sezon i gjatë dhe i vështirë për mua. Kam ende shumë ëndrra për të realizuar, siç është ai i fitimit të një grand slemi”, tha Halep për mediat. Duke bërë një përmbledhje të asaj që ndodhi gjatë vitit 2017, tenistja rumune shton: “Sezoni nuk nisi mirë, pasi kam qenë e dëmtuar 3 muaj. mezi luaja në fillim, por gradualisht mora forcë e besim dhe u riktheva më e fortë. Më vjen keq vetëm që humba në finalen e “Roland Garros”. Por gradualisht loja ime erdhi në rritje dhe në fund kapa kreun, një nga objektivat e mi”, tha Halep, që më tej shton: “Unë nuk vendos limite dhe shpresoj që 2018-ta të jetë edhe më i mirë. Nuk ndiej aspak presion, por vetëm synoj të shkoj sa më larg të jetë e mundur edhe pse e di që do të jetë më e vështirë”.