Hakmerret Rusia, pezullon eksportet e energjisë elektrike në Finlandë

Rusia ka pezulluar eksportet e energjisë elektrike në Finlandë. Operatori finlandez i rrjetit Fingrid tha se, kompania ruse do të ndalojë furnizimet për shkak të “problemeve në marrjen e pagesave për energjinë elektrike të shitur në treg”.

Sipas ekspertëve, nëse Rusia do të donte vërtet të hakmerrej ekonomikisht kundër Finlandës, ajo do të bënte një ndërprerje të furnizimit me gaz. Ndërprerja e energjisë elektrike dëmton rrjedhën e saj të të ardhurave, por ka pak ndikim në Finlandë, pasi ajo merr furnizime alternative nga Suedia.

Ky vendim i Rusisë, vjen pasi presidenti finlandez, Sauli Niinistö dhe kryeministrja e vendit Sanna Marin, mbështetën zyrtarisht anëtarësimin e Finlandës në NATO. “Tashmë që po afron momenti i vendimmarrjes do të shprehim edhe qëndrimet tona të përbashkëta për informimin e grupeve parlamentare dhe partive. Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës”, shkruhet në deklaratën e përbashkët.

Advertisements

Sipas saj, si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes. “Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO si çështje urgjente. Shpresojmë që hapat kombëtarë që duhen ende për të arritur këtë zgjidhje do të ndërmerren me shpejtësi në ditët në vijim”, thuhet në një njoftim për shtyp të lëshuar nga Zyra e Presidentit.

Çfarë mund të ndodhë?

Finlanda ka qenë neutrale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, pasi u pushtua nga Bashkimi Sovjetik. Humbja e saj nga sovjetikët në konflikt rezultoi në heqjen e 10 për qind të territorit të saj dhe arritjen e një marrëveshjeje që e la atë të paguante dëmshpërblime dhe të godiste ata që kundërshtuan më ashpër Moskën.

Pavarësisht se u bashkua me BE-në në vitin 1995, ajo ka mbetur ushtarakisht e pavarur që atëherë. Por që nga pushtimi i Ukrainës, Finlanda është në mesin e një numri vendesh që janë detyruar të rimendojnë marrëdhëniet e tyre me Rusinë.

Nëse bëhet kombi i 31-të në paktin mbrojtës, Finlanda do të shpresojë të përfitojë nga angazhimi ‘një për të gjithë, të gjithë për një’. Kjo e fundit kërkon që të gjithë anëtarët t’i vijnë në ndihmë çdo shteti brenda aleancës i cili sulmohet. /Albanianpost