Një vokal i mrekullueshëm i skenës shqiptare, ndonëse më shumë muzikën e ka si hobi e jo profesion, Haki Godanci vazhdon të sjellë këngë të bukura shqipe e disa prej tyre edhe në duete edhe me këngëtarin Shaqir Cërvadiku e Agim Boka e shumë këngëtarë të tjerë, edhe përkundër asaj se është një biznesmen i suksesshëm në Gjermani si dhe një humanist i jashtëzakonshëm. Këngëtari i njohur shqiptarë vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon fillimet në muzikë, rëndësinë e saj e shumë gjëra të tjera mbi veten. Kënga e tij e fundit në duet me Shaqir Cërvadikun titullohet “Muhabete interneti”
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?
Muzika ka një vend të rëndësishëm në jetën time, nuk mundem ta shoh jetën pa muzikë.
KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes? Hiti yt i preferuar?
Hiti im i preferuar është – “Pritna pritna nanë Shqipëri”, që e kam kënduar në duet me këngëtarin e njohur Shaqir Cërvadiku.
KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?
Po jam duke punuar për këngë të reja, ato kanë të bëjnë me realitetin e jetës se sotme. Është shumë me rëndësi që të ruajmë dhe të trashëgojmë muzikën e pastër shqipe, kjo është një amanet nga gjyshi e babai im.
KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?
Publiku ka një rëndësi të madhe, kam pas fatin që këngët e mia janë pëlqyer shumë nga publiku deri më tani.
KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë…Si ndikoni në jetën dhe perceptimi tek publiku? Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër?
Jo, siç e ceka pak më lartë muzikën e kam trashëgim nga gjyshi dhe babai dhe nuk ka ndonjë profesion tjetër që zemra do të rrah më pastër se me muzikë. Kohën e lirë merrem me sport dhe jam adhurues i madh i serialeve vendore.
KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën?
Jo brenda në shtëpi merrem me familjen time, atë kohë të shkurtër dëshiroj ta kaloj me ta.
KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit? Receta e preferuar?
Fatkeqësisht nuk jam kuzhinier i mirë, e vetmja gjë që di të bëj është ti gatuaj dy vezë.
KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?
Vendi më i bukur aty ku kam lindur, aty ku kam filluar hapat e parê në muzikë, pra Godanci i Kosovës, vendi i dytë është Gjermania që mi hapi të gjitha rrugët e biznesit e bëri ky që jam.
KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?
Para një jave në Kosovë, pushime bëj disa herë në vit, por më së miri ndihem në Kosovë .
KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?
Jo thash më herët publiku më kanë pritur me duar hapur dhe jam shumë mirënjohës të gjithëve.
KOHA: Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?
Kur shoh se po kontribuoj për vendin tim dhe kur ndihmoj skamnorët se ashtu isha vet.
KOHA: Doni një familje të madhe?
Kam pas fatin të kam një familje të madhe, ata janë çelësi i suksesit tim.
KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
Prindërit e mi kanë një vend të pazëvendësueshëm në zemrën time, ata më kanë udhëzuar në rrugën kombëtare dhe atdhetare.
KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?
“Gjarpërinjtë e gjakut” nga Adem Demaçi.
KOHA: Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?
Gjatë pushimeve në një ndejë familjare në Kosovë.
KOHA: Kënga që këndon në dush?
“Pritna, pritna nanë Shqipëri”.
KOHA: Projektet që ju presin?
Jam duke punuar për projekte të reja, së shpejti vij me disa këngë të reja.