Hajne, poeti që më së miri e përshkroi filozofin gjerman Kant

27

Heinrich Heine (1797-1856) ishte një prej poetëve dhe komentuesve më të dashur gjerman, i njohur për kritikën e tij ndaj romanticizmit. Ky tekst vijues është marrë nga vepra e tij “Historia e Filozofisë dhe Religjionit në Gjermani”

“Historia e jetës së Immanuel Kant-it është e vështirë të portetizohet, sepse ai nuk ka pasur kurrë as jetë e as histori. Ai jetonte një jetë të rregulluar mekanikisht, një ekzistencë abstrakte beqari, në një rrugë të qetë e të largët të Koenigsberg-ut, një qytet i vjetër kufirin verilindor të Gjermanisë. As ora e madhe e katedrales së qytetit nuk e maste kohën më metodikisht dhe pa fije pasioni se sa qytetari i saj, Immanuel Kanti. Zgjohej në mëngjes, pinte kafe, shkruante, ligjëronte, hante, ecte, të gjitha nën rreptësinë kohore të tij, sa që edhe fqinjët e dinin që ora ishte tre e gjysmë kur Immanuel Kanti, në pallton e tij ngjyrë hiri, shkopin spanjoll, dilte nga dera e shtëpisë së tij dhe ecte rrugës së blirit, gjë që edhe tani quhet ‘Rruga e Filozofit’.

Tetë herë ecte poshtë e lartë, në të gjitha stinët, dhe kur qielli errësohej ose mbushej përplot re, Lampe-ja plak, shërbëtori i tij, shihej pas tij me një ombrellë të madhe nën krah, si një imazh providence. Çfarë kundërthënie e çuditshme mes jetës së jashtme të tij, dhe mendimeve shkatërruese brenda tij! Me të vërtetë, po ta parandienin qytetarët e Koenigsbergut peshën e mendimeve të tij, do të dridheshin para tij më shumë se para një ekzekutuesi, sepse ekzekutuesi në fund të fundit ekzekuton vetëm njerëz. Por këta njerëz të mirë te ai shihnin vetëm një profesor të urtë, kur kalonte rrugës si zakonisht, dhe e përshëndesnin, dhe ndoshta, edhe rregullonin orën. Sidoqoftë, nëse, Immanuel Kant-i, krye-shkatërruesi në fushën e ideve, e tejkalon për nga tmerri Maximillian Roberspierre-in, por që megjithatë posedojnë ngjashmëri të shumta me njëri tjetrin.

Që të dy na shfaqen këmbëngulës, me integritetin esëll të tyre, dhe pa fije poezie. Dhe që të dy janë tmerrësisht dyshues ndaj ideve dhe thirren në kritikë, kurse ky i dyti i fut ato në aplikim te njerëzit dhe i titullon virtyte republikane. Që të dy, në shkallën më të lartë, përfaqësojnë një lloj borgjezie provinciale. Natyra i përcaktoi ata të peshonin kafe dhe sheqer, por Fati i determinoi që peshonin gjëra tjera, dhe në peshoren e njërit ishte mbreti, kurse në peshoren e tjetrit, zoti. Dhe ata e peshuan mirë!”.