Driton ZENKU
Gostivar, 30 dhjetor – Dukuria e vjedhjeve nuk është një moment i ri në shoqërinë tonë. Ndryshon vetëm forma e ekzekutimit, shkruan gazeta KOHA. Kohëve të fundit në rajonin e Gostivarit vërehet një mënyrë e re dhe tepër e rrezikshme e vjedhjeve nëpër shtëpitë e banimit. Më herët, shënjestër e vjedhjeve ishin shtëpitë e mërgimtarëve si dhe shtëpitë që për një moment ishin pa njerëz në periudhë pushimet apo dasmash. Së fundmi, janë regjistruar me dhjetëra raste të vjedhjeve nëpër shtëpi që në kohën kur është tentuar të vidhet apo është kryer vjedhja, ka pasur njerëz të pranishëm. Rastet e fundit janë regjistruar në fshatin Çegran të Gostivarit. Brenda një nate janë kryer më tepër vjedhje në mënyrë të njëjtë. Në prani të familjarëve dhe gjatë orëve të natës, hajnat kanë depërtuar brenda shtëpive dhe kanë përdorur sprej me qëllim që mos të zgjohen nga gjumi dhe të veprojnë me duar të lira. Pasi sprej ka arritur efektin, kanë filluar të kontrollojnë çdo cep të shtëpisë duke marrë me vete çdo gjë me vlerë. “Rasti ndodhi në familjen time por edhe në disa familje të tjera. Ndodhi në të njëjtën natë. Ne ishim duke fjetur. Kanë shfrytëzuar gaz për ta na mbajtur të fjetur. Kur u zgjuam në mëngjes nga ora 9, pamë se diçka ka ndodhur. Kishim marrë çdo gjë me vlerë. I kishin lënë dyert dhe dritaret hapur. Të gjithë anëtarët e familjes nga i ftohti ishim mërdhirë rëndë, u sëmurëm. Pamë që kishin kontrolluar kuletat nëpër pantallona dhe na kishin marrë paratë dhe disa dokumente. Rastin e denoncuam në Polici dhe presim të zbulojnë diçka”, shprehet banori i Çegranit i cili nuk deshi të identifikohet. Tentim për grabitje në kohën kur familjarët kanë ndodhur në shtëpi, ka pasur edhe në fshatin Raven. Një nga familjet e prekura është familjen Xhaferi. Arian Xhaferi, tregon për KOHA se, pasi kishte dëgjuar zhurmë, kishte dal jashtë dhe hajnat ishin larguar me të shpejtë. Hajnat kishin tentuar që të nxjerrin bravën e derës kryesore të shtëpisë për t’u futur brenda. Por, nuk mbaron tregimi këtu. Pak më vonë, rreth orës 2 të natës ato janë afruar sërish tek shtëpia e familjes Xhaferi dhe kanë tentuar të futen brenda nga kati i dytë i shtëpisë. “Brenda natës kishte dy tentime për tu futur brenda në shtëpi për të vjedhur. I hetuam dhe ikën. E njoftuam policinë dhe presim që kjo gjë më të mos na përsëritet”, shprehet Xhaferi, i cili po ashtu njofton se brenda kohës kishte ndodhur edhe një vjedhje në një shtëpi të fshatit. Një dramë e tillë por që ka zgjatur me ditë të tëra i ka ndodhur edhe një familje nga Balindolli i Gostivarit. Për disa net me radhë, hajnat kanë tentuar të hyjnë brenda shtëpisë duke e ditur që ka njerëz. Natën e parë ishin hetuar dhe ishin larguar nga vend-ngjarja. Të nesërmen, sërish kanë tentuar të hyjnë duke e ditur që familjarët bëjnë kujdestari. Kjo gjë ishte përsëritur disa net radhazi. Pronari i shtëpisë kishte alarmuar organet e rendit rreth rastit. Tentativat e tilla të vjedhjeve në prani të njerëzve në objektet e banimit, për pronarët e shtëpive që ishin cak i këtyre tentativave shihen të një rreziku të lartë dhe me viktima të mundshme. Hajnat pasi marrin guximin të hyjnë brenda shtëpive duke e ditur që ka njerëz, sigurisht janë të përgatitur dhe të armatosur për çdo të papritur. Edhe familjet që rrezikohen, në momentet e tilla mund të reagojnë dhe po që se posedojnë armë zjarri mund edhe të tentojnë të vrasin hajnat. Nga Policia e Gostivarit thonë se janë në dijeni të dukurive të tilla dhe se janë duke ndërmarrë hapa serioze operative për zbulimin e personave të cilët duket se funksionojnë në grup dhe se bëhet fjalë për më tepër grupe të tilla.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.