Emir Sahiti është njëri ndër emrat më premtues të futbollit shqiptar. Ky i fundit nënshkroi kontratë 4 vjeçare me Hajdukun e Splitit pasi kaloi gjysmë sezoni në huazim nga Rabotniçki
Klubi më me emër në Kroaci dhe Ballkan, Hajduku i Splitit, ka zyrtarizuar transferimin e Emir Sahitit nga Rabotniçki i Shkupit. Emiri është vëllai i Suad Sahitit, ish lojtarit të Skënderbeut. Po ashtu talenti 19 vjeçar me prejardhje nga Kosova është sulmues i Shpresave të kombëtares shqiptare. Ish futbollistin e Rabotniçkit e pëlqenin edhe shumë klube tjera por koha e kaluar si lojtar i huazuar te Hajduku bëri që klubi të veprojë shpejt. Sahiti ishte pjesë e ekipit të dytë te gjiganti kroat në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Tani sulmuesi është prezantuar në ekipin e parë për sezonin 2018/19. Derisa ishte pjesë e ekipit të dytë futbollisti në fjalë zhvilloi 9 ndeshje duke shënuar vetëm një gol. Me një postim në rrjetin social Facebook, Sahiti shprehet tejet i lumtur dhe falënderon ish klubin e tij Rabotniçkin për korrektësinë e treguar. “Falënderimi i takon Zotit, familjes time dhe menaxherëve të mi. Tani e tutje për 4 vite do të jem pjesë e klubit më të madh në Kroaci e po ashtu në Ballkan, HNK Hajduk Split. E falënderoj ish klubin tim Rabotniçkin për korrektësinë e treguar dhe për të gjitha vitet e kaluara aty”. Sahiti karrierën si futbollist e filloi në klubin KF Ramiz Sadiku në Kosovë. Më pas kaloi te FC Prishtina që më vonë të transferohet te Trepça 89. Talenti i tij u vërejt që në moshë të re kur Rabotniçki e bleu dhe debutoi me ekipin e parë që në moshën 17 vjeçare.