Hajdari mban premtimin, jep rrogën për shkollën që u dogj nga mbështetësit e opozitës

Deputetja Rudina Hajdari ka vizituar dy ditë më parë shkollën “Shejnaze Juka”, në Shkodër, një klasë e së cilës u dogj nga mbështetësit e opozitës, pasi ishte zgjedhur të shërbente si KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit. Pas ngjarjes, Hajdari premtoi se do të jepte rrogën e saj si deputete për rregullimin e shkollës, por pas vizitës ka konstatuar se investimi është bërë nga Bashkia e Shkodrës.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Hajdari thekson se nuk ishte i nevojshëm investimi për shkollën, duke shtuar se rrogën e saj e ka dhënë për librat artistikë, të cilët janë të integruar në kurrikulat mësimore.

Mesazhi i Hajdarit:

Me datë 05.07.2019 vizitova shkollën “Shejnaze Juka” me qëllimin për të investuar rrogën time në ambientet e shkollës pas ngjarjes së datës 18.6.2019. Pas vizitës time u konstatua se pas investimit të bërë nga Bashkia Shkodër, nuk ishte i nevojshëm një investim tjetër i këtij lloji.

Pas bisedimeve me drejtorin e shkollës, Z. Kolë Shiroka, u pa e arsyeshme që shuma e parashikuar nga paga ime të shkojë për librat artistikë, të cilat janë të integruar në kurrikulat mësimore, të vlefshme për të tre vitet e gjimnazit, t’i shtohen bibliotekës së shkollës. Këto libra do të shërbejnë si për 500 nxënësit që janë aktualisht të rregjistruar në shkollë, ashtu edhe për brezat e tjerë që do vijnë në vitet e ardhshme. Duke qenë libra, të cilat janë të detyrueshëm të lexohen për gjatë 3 viteve shkollore, të gjithë nxënësit që nuk kanë mundësinë të pajisen me libra do të kenë akses falas në bibliotekë për të tërhequr librin që u nevojitet.

Gjithashtu, në funksion të tyre do të vihet në dispozicion dhe një kompjuter, i cili do të shërbejë dhe do të funksionojë për nxënësit për realizimin e projekteve, detyrave të kursit apo aktiviteteve të tjera të ngjashme gjatë gjithë vitit. Ju uroj të gjithëve një të dielë të këndshme!