Tripoli, 18 shtator – Komandanti i Libisë lindore, Kalifa Haftar sot paralajmëroi se do ta heqë bllokadën për prodhim të naftës për një muaj dhe theksoi se është dakorduar me qeverinë rivale në Tripoli për ndarje të drejtë të të ardhurave.
Vazhdimi i eksportit të naftës pas bllokadës tetëmuajshe do ta zbusë presionin financiar në rritje ndaj dy palëve në konfliktin libian dhe mund të mënjanojë pengesë të madhe për arritje të zgjidhjes politike, por ende nuk është e qartë nëse marrëveshja ka mbështetje të gjerë.
“Jemi të gatshëm t’i hapim fushat e naftës për ta siguruar të ardhmen e Libisë për një muaj”, tha Haftar.
Zëvendëskryeministri i Tripolit, Ahmed Maiteg, gjithashtu, publikoi kumtesë menjëherë pas fjalimit të Haftarit, ku ceket se është vendosur të vazhdojë me prodhimin e naftës, duke shtuar se do të formohet komitet i ri për mbikëqyrje të shpërndarjes së të ardhurave.
“Komiteti do të koordinojë mes dy palëve në përgatitjen e buxhetit dhe transferit të mjeteve për mbulimin e pagesave, si dhe në zgjidhjen e çështjes për borxhin publik”, tha Maiteg.
Para bllokadës, Libia prodhonte rreth 1,2 milionë barel naftë në ditë, në krahasim me nivelin e tanishëm prej mbi 100.000 barelë në ditë.