Hadërgjonaj: As në ëndërr s’e kam parë këtë debutim

Florent Hadërgjonaj, i cili iu bashkua kombëtares së Kosovës vetëm në këto ndeshjet e fundit, pati rastin të paraqitej për herë të parë në ndeshjen me Bullgarinë. Në një deklaratë për KTV-në, Hadërgjonaj e quajti këtë debutim “si në ëndërr”.

“As në ëndërr s’mund të shohësh këtë debutim”, tha ai.

“Ndenja ishte shumë emocionuese. Të luash lojën e parë e të fitosh… Është fitore historike për Kosovën. Patëm shanse ta kryenim lojën edhe më herët, por ajo erdhi në fund. E kemi merituar. I kemi merituar këto tri pikë. Në zhveshtore ‘u kall’ gjithçka”, u shpreh i riu që ka kontratë me Huddersfieldin.

Ai tha se ndeshjet e radhës, siç janë me Çekinë dhe Anglinë, do të jenë testet kryesore për Kosovën, por tha se shpreson që skuadra do të kompletohet.

“Kur të kompletohet ekipi, do të matemi me ekipe edhe më të mira. Besoj që është bërë diçka pozitive në këtë ekip”, tha Hadërgjonaj, ndërsa tha të jetë befasuar me numrin e madh të tifozëve që ishin të pranishëm në Sofje.

Kosova mposhti Bullgarinë në Sofje me rezultatin 3-2.