Maqedonia është vendi i ardhshëm që mund t’i përmbushë kriteret për anëtarësim në NATO dhe e mbështes, por problemi është emri “Maqedonia” i cili mund të jetë i pranueshëm edhe për Greqinë, deklaroi ambasadori i përhershëm i SHBA-së në NATO, Kej Bejli Haçison në intervistën për “Uashington post”. I pyetur nëse si ambasador do të merret që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, Haçison tha se Aleanca ka politikë të “dyerve të hapura” për anëtare të reja, por ato duhet të përmbushin standarde të caktuara demokratike dhe ushtarake.
“Para 10-15 viteve pati debat dhe është marrë vendim që të kemi politikë të dyerve të hapura dhe t’i inkuadrojmë vendet Ballkanike dhe Baltike, dhe të kemi standarde që do t’i bëjë më të fuqishme. Nëse kemi standarde të përmbushura të demokracisë, ushtrisë dhe sundimit të së drejtës, atëherë këto vende do të jenë të afta të mbrohen vet dhe të mbijetojnë si demokraci në afat të gjatë. Politika e dyerve të hapura ende është këtu dhe standardet janë këtu”, tha Haçison. Theksoi se për shkak të kontestit me Greqinë nuk ka votim unanim për anëtarësimin e Maqedonisë.
“Mendoj se të gjithë e shohin Maqedoninë dhe përmbushjen e këtyre standardeve. Ka edhe pak deri te përmbushja e plotë, por besoj se nëse thonë se janë afër marrëveshjes për kontestin me emrin, ndërsa ne dëshirojmë të kenë emër siç ata duan apo në ndonjë formë tjetër, por duhet të ketë konsensus unanim. Mendoj se janë shumë afër. SHBA-ja i mbështet dhe nëse mund ta përmbushin pjesën e fundit në planin e brendshëm dhe të punojnë drejt zgjedhjeve të lira dhe qeverisë së fortë, atëherë do të jetë vendi i ardhshëm anëtar”, deklaroi Haçison.