Uashington, 30 nëntor – Temat kryesore të takimit ministror të NATO-s, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër në një format virtual në Bruksel, do të jetë ngritja e Kinës, rritja e aktiviteteve ushtarake të Rusisë, misionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak, perspektiva strategjike e “NATO-s 2030”, siguria kibernetike, pandemia globale, si dhe forcimi i aleancës transatlantike.
Këtë sot e deklaroi Kej Bejli Haçinson, ambasadorja e SHBA-së në NATO, e cila tha se vendi i saj dëshiron partneritet të barabartë dhe të drejtë tregtar me Kinën.
“Por, kjo tani nuk është rast. Kina po bëhet agresive ndaj shumë vendeve me të cilat kufizohet ose ka marrëdhënie tregtare, si për shembull, me shumë vende evropiane. Shembull është edhe India me konfliktin kufitar që ndodhi në qershor”, deklaroi ambasadorja.
NATO sheh kërcënim edhe në rritjen e fuqisë ushtarake të Rusisë në rajon.
“Jemi duke monitoruar vazhdimisht se si Rusia lëshon avionë dhe po lundron me nëndetëset e saj në Atlantikun e Veriut dhe Arktikun, kështu që ne jemi përqendruar në këto rajone në mënyrë që ta mbajmë kërcënimin e mundshëm ushtarak rus”, tha ajo.
Haçinson deklaroi se NATO është një çadër sigurie për Amerikën e Veriut dhe Evropën dhe parashikoi që “në dhjetë vitet e ardhshme, NATO do të shkojë përpara dhe do të bëhet më e fortë”.
Në takimin ministror nesër do të marrë pjesë edhe sekretari shtetëror amerikan, Majk Pompeo.
Brenda dy ditësh, sekretari shtetëror Pompeo do ta riafirmojë angazhimin e SHBA-së për Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila siguron paqe dhe prosperitet për më shumë se shtatë dekada”, theksoi Departamenti i Shtetit në kumtesën e sotme për opinionin.