Haaland trondit klubet e interesuara, ja paga stratosferike që kërkon

17

Që është objekt dëshirash të gjysmës së klubeve të njohura të Europës, kjo nuk ka qenë kurrë sekret. Erling Haaland është kandidat për “kryefjalën” e merkatos së verës, e cila, me gjasë do të nisë vrullshëm pas Kampionatit Evropian.

Një luks për disa, siç thonë specialistët. Klubet që, në letër, mund të përballojnë shpenzimet për sulmuesin norvegjez të Borussia Dortmundit janë shumë të pakta; ndoshta mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.

Gjithashtu sepse, sipas asaj që raporton “Goal”, kërkesa e bërë nga bomberi 20-vjeçar karshi një klubi të Premier League, i interesuar për të, ishte shqetësuese: 35 milionë euro në vit. Një pagë stratosferike, që thuajse do ta barazonte me Neymar te PSG.

Real Madridi dhe Barcelona tashmë kanë pasur mundësinë të takojnë agjentin e futbollistit, Mino Raiola, së bashku me babanë e shtatlartit skandinav më 1 prill. Sipas thashethemeve, vizita në “Valdebebas”, ku ndodhet selia e Real Madridit, ishte planifikuar më herët. Pas inspektimit në shtëpinë e 13 herë kampionëve të Evropës, Mino Raiola zgjodhi të bëjë një vizitë mirësjelljeje edhe në tokën katalanase.

Një bisedë informale dhe eksploruese në të cilën, sipas të mirinformuarve, nuk do të flitej për shifra dhe as për negociata të mundshme. E vërteta është se të dy gjigantët e La Liga-s, “Los  Blancos” dhe Blaugranat janë regjistruar zyrtarisht në garën për xhevahirin e çmuar të skenës botërore. Në shifra të caktuara, megjithatë, mbyllja e marrëveshjes do të jetë e pamundur. Për të gjithë.