Nëse banditët e tillë sot nuk futen prapa hekurave, nesër ata mund të kidnapojnë edhe ndonjë ministër, për të kërkuar në këmbim të lirimit dinjitetin tonë kolektiv si shoqëri që jemi mësuar të heshtim si strucët edhe atëherë kur na e rrasin në sy atë gishtin e palarë që banditët e përdorin për të eksploruar hundët e tyre lapidare
Nga Emin AZEMI
Një qytetar ka kërcënuar me jetë kryetarin e Gostivarit dhe derisa po e shkruajmë këtë editorial nuk e dimë nëse kërcënuesi është arrestuar ende. Këta banditë që guxojnë të kërcënojnë hapur një përfaqësues legal e legjitim të pushtetit vendor, duhet të jenë shumë kokëshkretë, në tentativat e tyre për të zbatuar ligjin e xhunglës, ose duhet të jenë shumë të sigurt se veprimet e tilla mbeten të pandëshkuara. Qytetarët e Gostivarit nuk e meritojnë të dhunohen nga individë të fortë, vetëm për faktin se ata fuqinë e bazojnë mbi indiferencën e shtetit për të mos vepruar. Nuk është vetëm Gostivari që vuan pasojat e banditizmave të individëve, të cilët (pa)rëndësinë e tyre shoqërore mundohen ta veshin me arrogancën e njeriut që i duket vetja më i madh se mbreti. Zakonisht cak sulmi i banditëve të tillë janë njerëzit e urtë e të ndershëm, të cilët me punën dhe disiplinën e tyre dëshmojnë një trohë integritet profesional e qytetar në këtë shoqëri. Por, ja që banditët nuk pyesin për integritet dhe qytetari. Ata duan të imponojnë normat e tyre të sjelljes dhe të gjithë të tjerët duhet t’iu nënshtrohen atyre normave. Nëse ndodhë që të kundërshtosh, të respektosh ligjin, automatikisht je bërë armik i banditëve.
Kokëqethurit e lagjeve tona, të zaptuara me bërllok e prapambeturi sociale, e kanë mësuar fshehtësinë e të qenit kapadai. Ata duken nja dy, tri ditë nëpër shtabet partiake gjatë zgjedhjeve, bëhen sikur po ndihmojnë dhe pastaj katër vjet duhesh të bëhesh peng i arrogancës së tyre. Për katër vjet, ata aktrojnë turli bodiguardi, turli shoferi e turli eminence gri. I ke gjithkund, nëpër restorante të shtrenjta, ulur në xhipa luksozë dhe me gishtin e futur thellë në hundë shpesh shfletojnë smartfonët për të ndjekur nga afër “mëhallën e budallenjve” dhe për tu bërë pastaj komentues të zjarrtë të temave që s’i marrin vesh.
Nuk ndodhë të ndahet ndonjë tender, të caktohet ndonjë tokë ndërtimi, të shpallet ndonjë konkurs, ku nuk e ke prezent ndikimin direkt apo indirekt të këtyre kokëqethurve. Shoqëria jonë është mbushur me zgjatime të tilla kriminale që i japin ritëm të mjerë jetës sonë të përditshme dhe sot e ke vështirë të bësh dallimin në mes të biznesmenit të ndershëm dhe diler-matrapazit, në mes të pedagogut idealist dhe fiqfiriqit dhëmbë pa larë, që pajiset me diplomë fakulteti në moshën 50 vjeçare, në mes të teologut model dhe sehirbazit etj.
Të jesh bandit sot, nuk duhesh të plotësosh shumë kushte. Mjafton të ndjekësh trendet shoqërore, ku vlerat kanë rënë përtokë, të qerasësh ndonjë njeri të pushtetit, dhe mundësisht të kesh sa më pak vite të mbaruara të shkollës fillore. Sot te një ministër më lehtë depërton kjo kategori njerëzish, se sa një intelektual. Jo se të gjithë ministrat bëhen të lumtur kur shohin në kabinetet e tyre këto faca, por këta të fundit gjejnë mënyra e udhë për të depërtu brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që një intelektuali i nevojitet një vit përpjekjesh. Këto mund edhe të faktohen nëse e kërkon dikush.
Profili psikologjik e social i banditit të sotëm ka filluar ta lë nën hije gatishmërinë e shoqërisë për tu ballafaquar me këto fenomene negative, kurse shteti vazhdon të “hulumtojë” rrethanat e kërcënimit ndaj kryetarit të Gostivarit. Nëse banditët e tillë sot nuk futen prapa hekurave, nesër ata mund të kidnapojnë edhe ndonjë ministër, për të kërkuar në këmbim të lirimit dinjitetin tonë kolektiv si shoqëri që jemi mësuar të heshtim si strucët edhe atëherë kur na e rrasin në sy atë gishtin e palarë që banditët e përdorin për të eksploruar hundët e tyre lapidare. (koha.mk)