Zoran Zaev, është një antipod i Gruevskit, dhe shumë afër De Golit. Sepse, Zaevi me vetëdije të plotë u hyri problemeve të cilat nuk pati guxim ose nuk deshi t’i zgjidhë pararendësi. Ai nuk e ushqen publikun me identitetin antik të “zbuluar” në shekullin 21, nuk i provokon grekët, por me ta ulet dhe i shikon të gjitha mundësitë në një kohë kur ka trashëguar një disponim negativ prej më shumë se 60 për qind të qytetarëve që janë kundër çfarëdo ndryshimi të emrit! Kjo duhet të jetë vetëvrasje politike për Zaevin shikuar me logjikën e Gruevskit, ndonëse në rastin e ligjit të gjuhëve, asgjë nuk humbni nga rejtingu
Nga Daut DAUTI
Sharl De goli shpesh merret si shembull për politikanin guximtar. Ai ishte një ikonë politike e ushtarake franceze, i cili kishte fituar shumë simpati gjatë rezistencës antifashiste, që sadopak kishte ruajtur krenarinë kombëtare të nëpërkëmbur nga Hitleri gjatë okupimit. Mirëpo, fill pas Luftës së Dytë Botërore, ai u gjet në sprovën e rëndë me koloninë e vet, Algjerinë, e cila kërkonte pavarësi. De Goli mundte të vazhdojë me politikën “s’e japim dot Algjerinë!”, por pa dashur të bëhet kalkulant se si do të reflektohet kjo në karrierën e tij politike, doli para popullit francez t’ia tregojë të vërtetën se Franca do të tërhiqet nga ky vend.
Duke marrë këtë shembull, dhe krahasojmë me këtë që po ndodhë në procesin e negocimit të emrit të ri të Maqedonisë dhe si sillet kryeministri i tashëm, Zoran Zaev, duhet të konstatojmë se ai është një antipod i Gruevskit, dhe shumë afër De Golit. Sepse, Zaevi me vetëdije të plotë u hyri problemeve të cilat nuk pati guxim ose nuk deshi t’i zgjidhë pararendësi. Ai nuk e ushqen publikun me identitetin antik të “zbuluar” në shekullin 21, nuk i provokon grekët, por me ta ulet dhe i shikon të gjitha mundësitë në një kohë kur ka trashëguar një disponim negativ prej më shumë se 60 për qind të qytetarëve që janë kundër çfarëdo ndryshimi të emrit! Kjo duhet të jetë vetëvrasje politike për Zaevin shikuar me logjikën e Gruevskit. Por, nëse krahasojmë se si u reflektua një tjetër hap i guximshëm, ai i ligjit të gjuhëve në zgjedhjet lokale, do të shohim se gjithçka është relative, sepse pas humbjes me dallim të vogël kundrejt VMRO-së në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale e la Gruevskin me tri komuna rurale dhe një qytezë! Në këtë mënyrë votuesit maqedonas e kishin shpërblyer guximin për ta zgjidhur një problem të brendshëm, e jo kalkuluesin dhe manipuluesin me këtë lloj temash. A do t’ia falin qytetarët edhe kësaj radhe Zaevit kompromisin e paralajmëruar me Greqinë, e cila do t’ia hapte rrugën vendit drejt BE-së dhe NATO-s, që mund të shihet tashmë nga paralajmërimet për një dinamikë të përshpejtuar? Ngjashëm mund të merret edhe veprimi i kryeministrit grek, Cipras, i cili, i shtyrë edhe nga presionet ndërkombëtare, i rreket ndryshe nga pararendësit e tjerë, ndonëse ka një disponim të indoktrinuar grek kundër emrit Maqedoni për fqinjin verior. Ndoshta në fazën tjetër, atë para referendumit, do të duhet të kyçet PR-i…Mirëpo, pa dashur të golorifikojmë këto veprime, është fakt se kemi të bëjmë me hapa dhe vendime të guximshme e vizionare , të cilat doemos e vënë në plan të parë interesin e shtetit, e jo atë të imazhit(PR-it), me çka mund të rrezikohet karriera politike. Duke flijuar madje me vetëdije rejtingun, realizon ato qëllime gjestratagjike të shtetit të deklaruara kaherë, por të rrezikuara nga kalkulimet politike të qeverisë së mëparshme.
Nëse kujtojmë ndonjë veprim të guximshëm në taborin politik shqiptar, padyshim një episod i tillë është ai i vitit 2001, kur dy liderët e partive shqiptare, Imer Imeri dhe Arbër Xhaferi u rreshtuan me Ali Ahmetin në Marrëveshjen e Prizrenit, duke u bërë praktikisht zëdhënëse të kërkesave të faktorit ushtarak dhe deri në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, kishte një bashkordinim midis këtyre dy faktorëve. (As me presionet e Sollanës dhe Robertsonit nuk u tërhoqën nënshkrimet e tyre, por vetëm shpallën një lloj moratoriumi, sa për sy e faqe para publikut të shokuar të Maqedonisë)
Në fillim të pluralizmit ndër ne, politikanët nuk i dinin disa gjëra “të rëndësishme” të veprimit politik. Ata vepronin më shumë me emocione e teatralitet, e me më pak strategji politike të mirëfilltë për paraqitje para publikut të gjerë. Ose edhe nëse ka pasur diçka nga kjo e dytë, mund të ketë qenë fare spontane, pa përpunim “laboratorik”. Me një fjalë, shumë vonë e kanë mësuar PR-in! Mund të ve bast se PR-in(Public relations) nuk e kanë pasur në dijeni as Gligorovi, as Cërvenkovski, e as Georgievski ose Buçkovski…derisa nuk erdhi Gruevski.
Pse është i rëndësishëm PR-i në “jetën” e një politikani ose subjekti politik? Pse sot mund të jetë më aktual se kurrë në Maqedoni? Strategjia e PR-it është një “metodë” e mirë për t’ia hapur rrugën një politike që të përkrahet nga publiku i gjerë, gjegjësisht, nga votuesit. E thjeshtësuar me gjuhën që kuptojnë masat, kjo strategji është kombinim veprimesh e paraqitjesh publike që ta bëjë sa më joshës(e) një platformë politike, një figurë, një lider, apo një parti, shpesh duke ofruar atë “përmbajtje” ose “ofertë” që preferon votuesi, që “prekë në nerv”. Shpesh krijon një iluzion të bukur, por, shpesh të rremë…Mangësia e kësaj strategjie shprehet më vonë, kur të jetë arritur qëllimi(të vihet në pushtet) dhe kur duhet të merren vendime të cilat e prishin “kullën e letrës” që e kanë ndërtuar. Dhe edhe më keq, kur subjektet e caktuara që e kanë ndërtuar imazhin e tyre përmes agjencive të PR-it, duhet të ballafaqohen me realitetin dhe kur duhet t’i hajnë fjalët e mëdha, ëndrrallat e shitura lirë…
Në këtë grackë e pat futur Nikolla Gruevski jo veten dhe partinë e vet, por e kishte bërë peng vetë shtetin. Nuk më mban kujtesa të jetë përmendur ndonjë agjenci PR-i në kohën e Branko Cërvenkovskit ose Georgievskit, por është përfolur mjaft një e tillë gjermane që me vite e ka ndërtuar imazhin politik të Gruevskit dhe VMRO-së, edhe atë: ndershmëri, drejtësi, angazhim 24 orësh7 ditë në javë, jo korruptivitet. Në imazhin e ndërtuar vëmendje e veçantë iu kushtua MOS LëSHIMIT PE grekëve(“mbrojtës i emrit”) dhe shqiptarëve(ndonëse në disa raste, u desh të marrë vendime të rënda, si për heqjen e lëndëve të Hagës ndaj UÇK-së, me kërkesë të partnerit të koalicionit, ose flakaresha nga BDI-ja me bllokimin e ligjit për “branitellat”, të cilin e pengoi Talat Xhaferi me poezitë e Aco Shopovit dhe diskutimet e tij me heshtje, ose pengimi i kryqit të Todor Petrovit në Butel…!). Një element plotësues në ndërtimin e imazhit pozitiv, natyrisht, ishte përmes korruptimit të mediave kryesore, tek të cilat derdheshin para buxhetore në emër të shumë aksioneve promovuese të Qeverisë, sepse, me mbylljen e televizionit më me ndikim (TV A1-shit), nuk kishte më medium me ndikim që do të kishte qasje kritike dhe ato të mbeturat pothuajse i korruptoi në tërësi.
Pse është me rëndësi të ceket shembulli i Gruevskit në kontekst të kësaj teme, e cila nuk e ka PR-in, por guximin e politikanëve për të marrë vendime “të rënda”? Sepse, përmes PR-it, Gruevski dhe qeveria e tij, praktikisht arriti të ndërtojë atë imazh i cili pastaj e frenoi për të marrë vendime në interes të shtetit. Ato vendime do ta rrënonin imazhin: nëse do t’u lëshonte pe grekëve, nëse lëshon pe para shqiptarëve(në këtë detyrë, rolin e “shpirtit të keq” do ta luajë “zonja e hekurt” e policisë, me imazh të ftohtë e të thartë, siç do të vërejë shumëkush, e cila do të promovojë dyshimin për armëmbajtje te femrat myslimane te rasti “Monstra”…) Po të vepronte ndryshe, do të ishte tradhti e idealeve që i promovoi, anise interesat kombëtare (shtetërore), me të cilat e kishin gojën plot, kërkonin vendime të guximshme për realizimin e qëllimeve gjeostrategjike të vendit, e jo ruajtjen e imazhit. Në këtë mënyrë, Gruevski do ta largojë Maqedoninë nga agjendat e deklaruara. Gruevski ndoshta do ta ketë shikuar dikur serialin anglez “Yes, prime minister”, ku këshilltari i tij, gjithë kohën mban llogari për veprimet e kryeministrit, gjegjësisht, mban llogari se si do të reflektohet në rejtingun e tij çdo fjalë ose çdo veprim. Jo vetëm që nuk do të kacafytet me problemet, por do të ndërmarrë veprime të cilat jo që nuk i zgjidhin ato, por dhe do të vështirësojnë edhe më(si në rastin e “antikuzimit”), që i siguroi një pushtet të papenguar më shumë se dhjetë vjet! Me gjasë, është mishëruar për së tepërmi me “frytet” e PR-strategjive të cilat sot provohen anekënd botës dhe nuk do ta ketë marrë parasysh ndonjë shembull të politikanit vizionar e të guximshëm, si Sharl de Goli.
Logjika e çdo veprimi politik është ardhja në pushtet, por ai nuk duhet të jetë qëllim në vete. Ballafaqimi me problemet dhe zgjidhja e tyre doemos duhet të jetë kryesorja, madje dhe me kusht që të flijohen pikërisht ato interesa partiake e karrieriste, të cilat disa subjekte i kanë në plan të parë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)