Moskë, 11 maj – Disa vende në botë akoma nuk e kanë marrë as një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa vendet më të pasura në mënyrë aktive janë duke e vaksinuar popullatën e tyre, deklaroi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh në një intervistë për mediat ruse para vizitës së tij në Moskë, e cila do të fillojë nesër.
“Jam shumë i brengosur për shkak të gjendjes momentale. Disa vende janë duke e vaksinuar popullatën e tyre shumë shpejtë por megjithatë kemi vende të cilat nuk e kanë marrë as edhe një dozë të vaksinës”, tha ai.
“Nacionalizmi vaksinal është gabim i madh. Në përgjithësi shohim dallim të madh midis vaksinave në botën në zhvillim dhe botën e zhvilluar”, shtoi Guteresh.
Ai përkujtoi për nismën e Kovaksin drejtuar shpërndarjes së vaksinave në vendet në zhvillim.
“Për fat të keq, Kovaksit edhe sot i mungojnë mjete – rreth 22 miliardë dollarë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i KB-së dhe shtoi se tani ka probleme me furnizimin për shkak të kufizimit të eksportit në vende të ndryshme.
Guteresh ju bëri thirrje prodhuesve të vaksinave kundër koronavirusit t’i bashkojnë forcat për ta dyfishuar prodhimin.
“Për mua është e dukshme se prodhimi global i vaksinave duhet të dyfishohet për t’i kënaqur të gjitha nevojat. Edhe kjo kërkon bashkëpunim”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i KB-së përkujtoi në thirrjen e tij për G20 për të zhvilluar një plan global për vaksinim i cili do t’i përforcojë kapacitetet e të gjitha vendeve dhe kompanive të cilat prodhojnë vaksina.
“Shpresojmë se të gjithë prodhuesit e vaksinave do të mund të bashkohen që të krijojnë plan global për vaksinim i cili do t’i përfshijë të gjithë njerëzit në të gjitha vendet”, theksoi ai.