Tetovë, 11 shtator – Në muajin gusht të këtij viti, në Tetovë dhe rrethinën e Tetovës gjithsej janë regjistruar 93 aksidente komunikacioni ose 3 më pak në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar, njofton sektori për punë të brendshme në Tetovë, shkruan gazeta KOHA. “Në dy prej këtyre aksidenteve, tre persona e kanë humbur jetën, për dallim nga aksidentet e vitit të kaluar ku nuk ka pasur viktima në njerëz. Dhjetë prej aksidenteve kanë përfunduar me po aq të lënduar rëndë, 40 prej tyre me 99 persona me lëndime të lehta trupore, përderisa në 41 aksidente është shkaktuar vetëm dëm material, i cili në total vlerësohet mbi 4 milion 600 mijë denarë. Më shumë nga aksidentet sërish kanë ndodhur në rrugët e Tetovës gjegjësisht (32) prej tyre, më pas në rrugën regjionale Tetovë-Pirok, Tetovë-Vollkovijë, dhe Tetovë-Shkup, gjegjësisht kanë ndodhur 25 aksidente, në rrugën Tetovë-Jazhincë 24”, njoftojnë nga policia e Tetovës. Sipas policisë si shkaqet më të shpeshta për këto aksidente janë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës gjegjësisht vozitja e shpejtë, mos dhënia e përparësisë së kalimit, veprime të pahijshme dhe një sërë veprimesh jashtë normave të komunikacionit.“Muajin e kaluar gjithashtu janë regjistruar 14 dalje nga rruga, si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, ndërsa 6 prej aksidenteve janë shkaktuar nga kafshët në të shumtën e rasteve nga qentë endacak, para së gjithash për shkak të rrugës së pasiguruar mirë me mburoja mbrojtjes dhe lëvizjes së lirë dhe të pakontrolluar të kafshëve në rrugë. Përndryshe ditët më kritike kur kanë ndodhur aksidentet e muajit të kaluar kanë qenë dita e mërkurë dhe dita e enjte, përderisa si periudha kohore më të rrezikshme kanë qenë nga ora 14 deri në orën 16, dhe nga 20 deri në orën 22. Në gusht gjithsej janë kontrolluar 3875 automjete nga të cilat tek 1134 janë konstatuar parregullsi të ndryshme. Mangësitë e konstatuara, gjegjësisht kundërvajtjet e ndryshme janë sanksionuar me 486 sanksione kundërvajtës 449 fletëpagesa për gjobë dhe 184 vërejtje me shkrim”, njoftuan nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. (koha.mk)