A mund i riu të jetë i lumtur sot në Maqedoni, apo i lumtur është vetëm në Perëndim. Përgjigjen e jep dyndja dhe zbrazja e shtetit, kur sipas disa përllogaritjeve të Bankës Botërore, bile 500 mijë banorë të Maqedonisë jetojnë dhe punojnë jashtë. Të rinjve që ikin në Gjermani për të realizuar ëndrrat e tyre, nuk e kanë të lehtë edhe kur plotësohen shumica e planeve të tyre, kur martohen, ndërtojnë shtëpi në vendlindje apo arrijnë ndonjë sukses tjetër që e kanë ëndërruar dikur
Nga Fisnik PASHOLLI
Guri i rëndë peshon në vend të vet thotë një proverb e vjetër popullore. Që do të duhej të thotë se kuptimi i jetës është në vendlindje , aty ku flitet gjuha jote, aty ku ke pasur të parët, ku ke fis e shokë. Nga ana tjetër një thënie latine thotë Ubi bene, Ibi patria , ku është mirë atje është atdheu apo ku ” ku është buka atje është atdheu im”. Emigrimi është shumë i hidhur për të gjithë. Mirëpo me kalimin kohës, përmirësimin e mirëqenies, zbutet, por jo edhe shërohet malli për vendlindje me mjetet moderne të komunikimit, me vajtje ardhjen me linjat e lira të avionit… Ikën rinia nga Maqedonia me vite të tëra. Bile edhe nga vendbanimet që në të kaluarën aspak apo fare pak kanë pasur traditë kurbeti. Maqedonia perëndimore shënon një traditë të vjetër gati edhe 100 vjeçare të mërgimit, në Vllahi apo Bullgari, më vonë edhe në Australi dhe Amerikë apo Evropën perëndimore, ndërsa tani të pajisur shpesh edhe me pasaporta bullgare, ikin edhe të rinjtë nga Maqedonia lindore, që gati aspak nuk ka pasur traditë të kurbetit.
Ikin jo vetëm të rinjtë që këtu nuk kanë ekzistencë , por edhe profesionistë që edhe këtu nuk fitojnë keq për standardin e Maqedonisë. Viti ri, festat e bajramit , krishtlindjet katolike, apo “feragostoja” italiane janë periudhat e vitit kur gjallërojnë fshatrat tona , kur pronarët e restoranteve , dyqaneve , mobilierive , mjeshtrit e profileve të ndryshme i llogarisin në bilancet e punës së tyre. Ikin, jo vetëm mjekët e ardhshëm në Maqedoni , të cilët përveç kolokviuemeve dhe provimeve, i qasen edhe mësimit të gjuhëve të huaja. Por, nuk mësohet vetëm gjermanishtja, por të gjithë gjuhët e tjera që nesër mundësojnë punësim më të lehtë dhe adaptim të shpejtë në vendin e ri të punës. Nuk ikin vetëm mjekët, por edhe inxhinierët e profileve të ndryshme, si zanatlinjtë, shoferët, berberët, ustallarët e ndërtimtarisë…
Banka shkollore të boshatisura nga nxënësit e klasës së parë që në vend shqip në vendlindje mësojnë gjermanisht, italisht apo anglisht, hasen në të gjithë Maqedoninë Perëndimore. Fshatra që gumëzhijnë vetëm verës kur mbahen ahengje të ndryshme familjare, qoftë dasma, synete…, keqardhje e berberit në fshat që e ka marrë malli që të ketë tollovi në dyqan , që një i ri të vijë së paku të ndreqë një “frizurë”, në mos ta vizitojë ndonjë myshteri tjetër të ruhet apo të heq flokët. Arra dhe fusha të shkreta që nuk i punon kush, apo tokë bujqësore që dikur është paguar me gjak, ndërsa tani i bie vlera jo vetëm në Pollog, por edhe në tërë Maqedoninë. Kaloi koha kur për dallim prej viteve 80-të kur kamionët me speca apo groshë nga Tetova shiteshin menjëherë në tregjet e mëdha të Zagrebit apo Splitit, apo kur kamionët nga rrethi i Sarajit të mbushura përplot me bostan apo dredhëza sillnin mirëqenie për banorët e kësaj ane. Dikur ikte vetëm kryefamiljari, që dërgonte para në familje , punonte në “baushtelin”, gjerman dhe rriste, shkollonte, martonte fëmijët në vendlindje. Tani ik e gjithë familja me bashkimin familjar…
A mund i riu të jetë i lumtur sot në Maqedoni, apo i lumtur është vetëm në Perëndim. Përgjigjen e jep dyndja dhe zbrazja e shtetit, kur sipas disa përllogaritjeve të Bankës Botërore, bile 500 mijë banorë të Maqedonisë jetojnë dhe punojnë jashtë. Të rinjve që ikin në Gjermani për të realizuar ëndrrat e tyre, nuk e kanë të lehtë edhe kur plotësohen shumica e planeve të tyre, kur martohen, ndërtojnë shtëpi në vendlindje apo arrijnë ndonjë sukses tjetër që e kanë ëndërruar dikur. Mbas realizimit të tyre në aspektin financiar, mbetet malli për vendlindjen, mbetet hidhërimi, pse edhe në vendin ku jam rritur nuk ka për shembull një tren të shpejtë dhe komod me të cilin do të udhëtojë nga Gostivari apo Tetova në Shkup, apo nuk ka një rrugë që lidh malësinë e Karshiakës me Studenicanin që do të hapte perspektive për një gjallërim ekonomik të kësaj ane, apo kur e tërë rruga nga Mavrova deri në Dibër do të ishte e zgjeruar dhe e rinovuar mu sikur rruga që shpie deri në Mavrovë nga ndarja e rrugës Gostivar-Kërçovë, apo në vend që të bëjnë djathë për zviceranin apo italianin nuk bëjnë bulmet për xhepin e vet. Por, më e rëndësishmja është që ngadalë t’ju ofrojmë perspektivë që së paku një pjesë e të rinjve profesionist të lëmive të ndryshme, së paku të mendojnë të kthehen në vendlindje , për të hapur një kompani të teknologjisë informatike, zyra të ndryshme të konsulencës financiare, përpunimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, apo edhe shërbime të ndryshme në hoteleri. Për një zhvillim të vërtetë ekonomik dhe shoqëror në Maqedoni do të mund të flasim kur do të shtyjmë të mendojnë të rinjtë të kthehen. Migrimi është një trend modern që ka kapluar tërë botën. Polakët zbrazën Poloninë parë një dekade, por tani një pjesë e tyre, kthehen ngadalë në vendlindje nga Mbretëria e Bashkuar, të joshur nga përmirësimi i jetesës në Poloni. Bile edhe suksesi ekonomik i Izraelit i falënderohet diasporës së hebrenjve nga jashtë që ka ndihmuar dhe mbështetur Izraelin të arrijë një çudi ekonomike në shkretëtirë. Mbetet të shohim se sa pas pesë deri dhjetë vitesh, që rruga e mërgimit do të jetë vetëm në një kahje, por edhe në dy kahje edhe në Maqedoni, si rrjedhojë e rrugëtimit euroatlantik të vendit. (koha.mk)