Ilkay Gundogan u është përgjigjur me shumë humor talljeve që shpërthyen në rrjetet sociale lidhur me fanellat me emrin e tij me të cilat skuadra e Manchester City-t zbriti në fushë ndaj Arsenal-it. Mesfushori pësoi një dëmtim të rëndë të mërkurën në ndeshjen me Watford-in e fituar 2-0 nga “Qytetarët”. Ky dëmtim pritet ta mbajë jashtë fushave ndërkombëtarin gjerman deri në fund të sezonit. Lojtarët e Manchester City-t për t’iu gjendur pranë shokut të vet veshën uniforma me emrin e tij në sfidën e të dielës në Etihad Stadium ndaj Arsenal-it. Por ky veprim ka bërë të shpërthejnë reagimet në Twitter, ku komenti “Rip Gundogan” ishte kryefjala. Vetë lojtari ka qeshur me shakatë ‘RIP Gundogan’ dhe ka përgëzuar Citizens për fitoren 2-1 ndaj Topcinjve.Pas kësaj fitoreje djemtë e Pep Guardiola-s pozicionohen në vendin e dytë të renditjes me 36 pikë, por janë shtatë pikë mbrapa Chelsea-t kryesues me 43. Ndeshja tjetër e City-t do të jetë në transfertë me Hull-in më 26 dhjetor.