Mesfushori i Manchester City, Ilkay Gundogan, ka premtuar se do të kthehet më i fortë, pasi iu nënshtrua një operacioni në gjurin e djathtë. Gundogan postoi një fotografi nga dhoma e spitalit, i shtrirë dhe me këmbën e djathtë me protezë. Ai shkroi: “Përshëndetje çuna! Jam mirë dhe operacioni shkoi ashtu si duhet. Tani nis një tjetër rrugë drejt riaftësimit për të kthyer edhe më i fortë!”. Futbollisti i blerë për 25 milionë euro gjatë merkatos së verës pësoi një dëmtim në ligamentin e gjurit në ndeshjen kundër Watford dhe kjo pritet ta mbajë jashtë për pjesën e mbetur të sezonit. Futbollistët e tjerë të Manchester City e kujtuan shokun e tyre duke u futur të gjithë në fushë me fanellën me numrin 8, përpara ndeshjes kundër Arsenal. Vetë Gundogan bëri shaka për këtë veprim të shokëve, duke shkruar në rrjetet sociale: “Mos u shqetësoni, jam ende gjallë!” Gudongan ka qenë një figurë kyçe te mesfusha e Manchester City në këtë sezon dhe ka luajtur 16 ndeshje përpara se të dëmtohej. Trajneri Guardiola ka pranuar se ekipi i tij do t’ia ndjejë mungesën gjermanit: “Ne jemi të trishtuar për të dhe do të na mungojë, por janë gjëra që ndodhin në futboll.”