Presidenti i Guatemalës Jimmy Morales është nisur me hapat e kolegut të vet amerikan Donald Trump duke paralajmëruar të dielën bartjen e ambasadës së vendit të vet në Jerusalem, përkundër dënimit të Asamblesë së Përgjithshme të KB’së.
“I kam dhënë udhëzime ministres së jashtme Sandra Jovel për nisjen e procedurës për realizimin e këtij vendimi”, ka shkruar Morales në Twitter, transmeton gazetametro.net.
Lideri i parë i një shteti i cili morri vendim të ngjashëm me Trump’in, presidenti Morales ka lajmëruar në rrjete sociale mbi bisedën telefonike të cilën më herët kishte bërë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Një nga temat më të rëndësishme të bisedës me kryeministrin e Izraelit ishte kthimi i ambasadës së Guatemalës në Jerusalem”, ka thënë Morales duke i theksuar “marrëdhëniet e shkëlqyeshme” në mes dy vendeve prejse Guatemala e ka përkrahur krijimin e shtetit të Izraelit”.
Të premten presidenti Morales e mbrojti përkrahjen e vendit të vet për vendimin e SHBA ta njohë Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit, një ditë pas votimit masiv të Asamblesë së Përgjithshme të KB mbi dënimin e kësaj iniciative të presidentit amerikan.
“Guatemala është historikisht e orientuar pro Izraelit dhe për 70 vite Izraeli është aleati ynë”, ka deklaruar ai.
Guatemala ka votuar në KB kundër këtij dënimi bashkë me Hondurasin, Togon, Mikronezinë, Naurun, Palaun dhe Ishujt Marshall, pranë SHBA dhe Izraelit./gazetametro.net