Pep Guardiola njihet si një trajner që i kushton rëndësi edhe detajit më të vogël. Si në aspektin taktik, në stërvitje apo në zgjedhjen e formacionit, trajneri i Manchester City nuk lë gur pa lëvizur në kërkim të perfeksionit. Me sa duket, kjo përfshin edhe kapësit e topave. Gjatë fitores 5-0 të City-t ndaj Crystal Palace, Guardiola është fotografuar duke i dhënë udhëzime një djaloshi të vogël që ishte në Etihad për të kapur topat. Spanjolli duket qartë që kishte një udhëzim specifik për të riun, dhe këtë e ka shpjeguar në përfundim të ndeshjes.
“Mbase nuk mund të luash lojën tënde për 90 minuta, por ishim të avashtë. Kur kishte faull, askush nuk shkonte të merrte topin për të nisur lojën. Kalonin 5-10 sekonda deri sa dikush shkonte për të marrë topin. Kur ndodhin këto gjëra, gjithçka është e avashtë. Edhe kapësit e topave ishin të avashtë, të gjithë ishin. Dhe ne duhet të jemi krijuesit në një ndeshje, të provokojmë ndeshjen. Dhe këtë gjë nuk e bëmë në pjesën e parë.”