Pep Guardiola thotë se është “i trishtuar” dhe se i vjen keq që Riyad Mahrez nuk ka qenë titullar në një ndeshje të Premierligës që nga fundi i dhjetorit, raporton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA. Guardiola e zgjodhi 27-vjeçarin për të luajtur në katër ndeshjet e “FA Cup” dhe “Carabao Cup” në janar, por e la atë jashtë skuadrës për sfidën kundër Huddersfield dhe e mbajti në stol kundër Liverpool, Wolves, Newcastle dhe Everton.
“Po, e kam një arsye, që nuk po e aktivizoj. Unë jam arsyeja. Ai nuk është absolutisht fajtor, ose nuk përbën ndonjë arsye të veçantë, përse nuk po luan”, tha Guardiola, ku u pyet pse nuk po luan Mahrez.
“Jam i trishtuar, sepse është duke u trajnuar fort. Ai është një lojtar tepër i talentuar, por në këtë moment kemi pesë sulmues. Për shembull, në lojërat e fundit, Leroy Sane nuk ka luajtur. Ne kemi lojtarë të pabesueshëm, si për shembull Bernardo Silva dhe Rahem Sterling, që po kalojnë një formë të shkëlqyer sportive. Kjo është arsyeja e vetme pse mahrez nuk po luan, nuk ka asnjë arsye të veçantë, që të mërzitet apo diçka të tillë”.
“Ai është një djalë, me të cilin jemi të kënaqur. Fatkeqësisht nuk jam mirë me të, sepse nuk mund t’i jap minutat që meriton. Prandaj, më vjen keq, kjo është gjithçka që mund të them”.
Mahrez ka bërë 33 paraqitje në të gjitha garat deri më tani, shumica i ardhur nga stoli dhe ka shënuar 9 gola.