Pep Guardiola nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë e tij për lojtarët e rinj. Siç raportojnë mediat në Spanjë, trajneri spanjoll është duke vëzhguar nga afër disa prej futbollistëve të rinj që luajnë në skuadrat e të rinjve të Real Madridit, transmeton Gazeta Metro.
‘La Fabrica’, siç quhet shkolla e futbollit në Real Madrid, ka në radhët e veta disa futbollistë të talentuar, për të cilët mendohet që mund të shndërrohen në yje për ekipin spanjoll si dhe për kombëtaret e tyre.
Luismi Quezada, Fran García, Yero, Armeteros, Pablo Rodríguez, Cuenca, Carrillo, Peter, David de la Víbora dhe Dani Lorenzo janë disa prej talentëve që po kërkohen nga Pep Guardiola për ekipin e tij të Manchester Cityt.
Disa nga këta lojtarë janë nën menaxhimin e vëllait të Pep, Pere Guardiolas, i cili merret me menaxhimin e karrierave të futbollistëve.
Pep Guardiola njihet si trajner që llogarit shumë në lojtarët e rinj. Gjatë viteve të tij te Barcelona, Pep kishte sjellë në ekipin e parë disa prej yjeve të Barçës si Sergio Busquets e Pedro Rodriguez.