Manchester City fitoi në përballjen e së shtunës kundër Fulham-it me rezultatin 3-0. E megjithatë, trajneri Pep Guardiola nuk ishte shumë lumtur me paraqitjen e skuadrës. “Jam i mërzitur. Jam i mërzitur me lojtarët e mi dhe ata e dinë.”, tha ai menjëherë pas takimit. Dhe ishte serioz kur e tha këtë.
Sipas tabloidit anglez “The Sun”, aq shumë u nervozua tekniku spanjoll sa vendosi që të anulonte ditën e pushimit të futbollistëve të tij. Pra të dielën të gjithë ishin në stërvitje. Aty Guardiola përgatiti një sesion stërvitjeje ku aty ata ripanë takimin dhe katalanasi u shpjegoi saktësisht se ku ata gabuan.
“Qytetarët” patën shumë raste për golin, por ata dështuan sipas trajnerit edhe në pasimet e thjeshta dhe kontrollin e topit. Dhe me Champions-in që po afron, futbollistët nuk mund t’i lejojnë vetes të tilla gabime. City është një nga ekipet favorite për ta fituar këtë kompeticion evropian dhe Guardiola nuk ka ndërmend që ta ndryshojë skuadrën e tij. Të mërkurën për ta vjen prova e parë evropiane, ajo ndaj skuadrës së Lyon-it në orën 21:00. Gabimet e bëra më nuk lejohen.