Pep Gurdiola ka ngushëlluar vajzën e tij të vogël, Valentina pas humbjes 1-2 që regjistruan mbrëmë ndaj Lionit në “Etihad”. Trajneri i “Qytetarëve” mbeti i zhgënjyer nga rezultati që shënuan në ndeshjen e parë të Champions League. Kjo humbje ka mërzitur edhe vogëlushen e tij, e cila u pa ndërsa ishte mbuluar nga lotët.
Në atë moment babai i saj, para se të shkonte për të takuar djemtë në dhomën e zhveshjes, iu afrua dhe i kërkoi që të qetësohet. City do të udhëtojë të shtunën në Cardiff, ku do të luajë në kuadër të javës së gjashtë të Premier League. Kampionët anglezë e patën të vështirë që të përballeshin me stilin e vështirë të lojës së Lionit, sidomos në pjesën e parë të takimit.
Miqtë shënuan dy herë në portën e Ederson në 45 minutat e para me Maxwell Cornet (26′) dhe Nabil Fekir (43′). Në të dytën janë vendasit që tentojnë të gjejnë golin e diferencën dhe ia dalin. Bernardo Silva gjen rrjetën e parë për ekipin në minutën e 67-të. Por, në fund janë francezët që shkojnë me fitore në shtëpi. Takimi tjetër në Grupin F mes Shakhtar Donetsk me Hoffenheim përundoi në shifrat e barabarta 2-2.