“Gjuetia” për trajnerin e ri të Juventusit vazhdon, me një seri emrash në listën e drejtuesve bardhezinj. Jo vetëm Sarri, Pochettino dhe Inzaghi, por edhe Pep Guardiola ëndërrohet nga kampionët e Italisë për sezonin e ardhshëm, duke pasur në fokus sidomos Champions-in.
Sipas asaj që bën me dije “Onda Cero”, trajneri katalanas ishte në Lombardi dhe është takuar me drejtorin sportiv të Juventusit në “Palazzo Parigi”. Ky burim informacioni nga Spanja tregon se si Guardiola po planifikonte aty një vizitë (ngjarje bamirësie) në Itali, që lidhet me një turne golfi në Barcelonë, dhe kishte takuar fshehurazi Fabio Paratici në hotelin, që është, gjithashtu, selia e Juventusit gjatë verës.
Vetëm disa ditë më parë, Guardiola i ka hedhur poshtë zërat që e dërgonin atë në stolin e Juventusit, duke thënë se donte të vazhdonte në stolin e “qytetarëve”. Në ditët në vijim, pas përfundimit zyrtar të Serie A, lajmet për të ardhmen e Juventusit do të “shoshiten” dhe do të mësohet emri i pasuesit e Max Allegrit.