Guardiola: Asgjë nuk mjafton pa këtë te Manchester City

0

Trajneri i Manchester City këmbëngul se suksesi i tij i trefishtë, këtë sezon, nuk mjafton për të larguar zhgënjimin e Ligës së Kampionëve në “Etihad”. Pep Guardiola iu rikthye dështimit në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet në Europë (eliminimit që në çerekfinale). “Qytetarët” u bënë skuadra e parë angleze, që i fiton të tre trofetë e mëdhenj vendas (Premier League, “FA Cup” dhe “Carabao Cup”), por Guardiola nuk e mohon pengun e madh.

Ai pranon se, përfundimisht, karriera e tij në Manchester do të përcaktohet nga fitimi, ose jo i Champions-it: “E kam thënë më parë dhe e di si do të gjykohem në fund te Manchester City. Puna ime do të varet nga fitimi i Ligës së Kampionëve. Nëse nuk e bëj këtë, asgjë nuk do të jetë e mjaftueshme. Kjo lidhet me mua, e di mirë.


Unë e nisa si trajner te Barcelona dhe ishim me fat që e fituam Champions-in dy herë në katër vite. Njerëzit presin nga unë diçka të veçantë, e di se duhet të fitojmë Ligën e Kampionëve. Kjo është e vërteta. Edhe në këtë klub, marrja e 100 pikëve në sezonin e kaluar, apo fitorja e të gjithë trofeve në Angli, këtë sezon, konsiderohen të pabesueshme, por jo të mjaftueshme. Pra, duhet fituar Champions-i, ku garojnë ekipet më të mira të Europës.

Ky trofe është shumë i kërkuar, ndaj duam ta fitojmë. Nuk do të isha këtu sezonin e ardhshëm, nëse nuk besoj se mund të përmirësohemi ende si grup. Ne duhet të përpiqemi të luajmë më mirë dhe të arrijmë në fazat finale të garave, duke luftuar. Kjo është ajo që dua, ky është synimi im për sezonin e ardhshëm, për ta mbajtur këtë frymë. E di që do të jetë e vështirë, sepse njerëzit do të na krahasojnë me këtë sezon”.

Comments are closed.