Karakas, 12 maj – Lideri i opozitës në Venezuelë, Huan Guaido, i cili e kryeson fushatën për rrëzimin nga pushteti të presidentit Nikollas Maduro, deklaroi se i ka dhënë instruksione përfaqësuesit të vet në Uashington, Karlos Veiko urgjentisht të fillojë komunikim me ushtrinë amerikane.
Guaido, i cili mbështetet nga SHBA-ja, theksoi se ka kërkuar nga Veiko të fillojë “komunikime të drejtpërdrejta” për shkak të koordinimeve të mundshme.
Ai shtoi se i mban të hapura “të gjitha opsionet në tryezë” për rrëzimin e Maduros nga pushteti.
Forcat venezuelase të sigurisë kohë më parë e arrestuan njeriun e dytë të “kongresit” opozitar venezuelas Edgar Sambrano, pas tentimit të pasuksesshëm për grusht shtet javën e kaluar.
Qeveria në Venezuelë kumtoi se Sambrano dhe tetë pjesëtarë të tjerë të lëvizjes opozitare janë akuzuar për tradhti ndaj atdheut dhe nxitje të kryengritjes për shkak të roleve të tyre më trazirat e javës së kaluar.
Presidenti Maduro deklaroi se ai është cak i komplotit amerikan, duke sqaruar se oferta e presidentit amerikan Donald Tramp për t’i hequr sanksionet për pjesëtarët e forcave ushtarake të cilët do ta kundërshtojnë Qeverinë e vet paraqet “ofendim të nderit dhe dinjitetit të tyre”.