Presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, lideri i opozitës Huan Guaido e akuzoi pushtetin për mospasjen e energjisë elektrike në vend.
“Njerëzit po vdesin nëpër spitale për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Ky është tmerr i vërtetë. Duhet ndërrim i pushtetit”, ka thënë Guaido.
Ai nuk beson se ka ardhur deri në sabotim, siç pohojnë autoritetet e Venezuelës.
“Të gjithë e dimë se arsyeja e vërtetë për situatën e keqe në rrjetin në shtet është për shkak të korrupsionit në këtë fushë”m deklaroi Guaido.
Në ndërkohë, rryma gradualisht filloi të kthehet në disa pjesë të Venezuelës, duke e përfshirë edhe kryeqytetin Karakas.
Korporata kombëtare për energji elektrike kumtoi se rrymë nuk ka në 21 nga gjithsej 23 shtete federale në Venezuelë, për shkak të sabotimit në hidroelektranën më të madhe “Simon Bolivar”.
Presidenti i Venezuelës, Nikollas Maduro i ka ndërprerë orët e mësimit në shkolla dhe ditën e punës të premten, që të lehtësohen përpjekjet për kthimin e dërgesës së energjisë elektrike në vend, ka shkruar në Tuiter zëvendësja e tij, Delsi Rodriges.
Maduro për incidentin e akuzoi “imperializmin amerikan”.
Ndërprerjet në furnizimin me energji elektrike janë të shpeshta në Venezuelë. Sipas ekspertëve, kjo është për shkak të mungesës së investimeve në infrastrukturë, ndërsa autoritetet pohojnë se po sabotohet sistemi për energji elektrike.
Para disa vitesh Maduro ka urdhëruar që armata t’i ruajë gjeneratorët hidroelektrikë, por edhe krahas asaj sërish ka ndërprerje në furnizimin me energji elektrike. (koha.mk)