Berlin, 7 mars – Vendimi i Karakasit ta dëbojë ambasadorin gjerman nga Venezuela paraqet kërcënim ndaj Gjermanisë, deklaroi lideri i opozitës së Venezuelës, Huan Guaido.
“Ai hap paraqet kërcënim ndaj Gjermanisë, vlerësoi për gazetën “Shpigel” presidenti i përkohshëm i vetëshpallur i Venezuelës, të cilin shumica e demokratëve perëndimor e mbështesin.
Ministria e Punëve të Jashtme të Venezuelës dje publikoi se ambasadori gjerman në Venezuelë Daniel Martin Kriner është shpallur person i padëshiruar (persona non grata) dhe është kërkuar ta braktisë vendin në afat prej 48 orëve.
“Venezuela konsideron se është e papranueshme një diplomat i huaj në shtetin tonë të kryejë rol publik qartë të harmonizuar me agjendën konspirative të pjesëve ekstremistike në opozitën venezuelase”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Venezuelës.
Kriner, së bashku me më shumë se dhjetë ambasadorë, ishte në aeroportin ndërkombëtar në Karakas të hënën, ku ishte përshëndetur lideri i opozitës Huan Guaido.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Hajko Mas sot e dënoi vendimin e Venezuelës, duke vlerësuar se kjo vetëm e vështirëson situatën.
“Bëhet fjalë për vendim të pakuptueshëm që e keqëson situatën dhe nuk kontribuon për qetësimin e tensioneve”, tha Mas.