Euronikel, përfaqësia e GSOL do t’ua paguajë të gjitha mjetet transportuesve të FENI, kumtoi sot kompania.
“Kërkesat e tërësishme të transportuesve në vlerë prej 3,1 milionë eurosh janë kërkesa të Logjistikës së Re, firmë për të cilën është më se e sigurt se hyn në falimentim. Edhe pse është jashtë obligimeve ligjore të Euronikel, por duke u nisur nga situata ku është caktuar falimentimi i Logjistikës së Re, ndërsa me këtë plotësisht do të përkeqësohet gjendja e transportuesve, është vendosur të ndihmohet maksimalisht dhe t’u paguhet kërkesa e tërësishme”, informojnë nga Euronikel.
Pagesa do të bëhet menjëherë pas konfirmimit të dokumentacionit për kërkesat dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të noterit të cilat do të lidhen me transportuesit. Njëherit, u bëhet apel transportuesve që t’i largojnë bllokadat dhe të mundësohet shpërndarje pa pengesa e materialeve për prodhimtari, që të mundet fabrika të funksionojë në mënyrë normale.
Euronikel, shtohet, ka interes të bashkëpunojë me të gjitha palët, por funksionimi normal i fabrikës nga e cila varet ekzistenca e 800 familjeve është prioritet.
Ndërkohë, transportuesit e FENI-t edhe për sot paralajmëruan bllokadë të re treorëshe në rrugën Kavadar-Drenovë.