Me rëndësi kyçe për Republikën e Maqedonisë është tejkalimi i krizës politike dhe sa më shpejt të formohet Qeveri e cila do të përkushtohet në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik dhe e cila do të ketë kapacitet të ballafaqohet me sfidat e krizës migruese dhe të sigurisë. Kjo ishte theksuar në raport të gjendjes aktuale politike në vend, në drekën e punës së sotme tradicionale të presidentit të Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, me ambasadorët e vendeve anëtare të grupit të Vishegradit, të akredituar në Republikën e Maqedonisë – ambasadori i Republikës së Polonisë Jacek Multanovski, i Republikës së Çekisë Mirosllav Ramesh, i Republikës së Sllovakisë Martin Bezak dhe me ambasadorin e Hungarisë Laslo Ishtvan Duks.
Ashtu siç kumtoi kabineti i presidentit, ambasadorët u pajtuan se është i domosdoshëm një hap i vendit në raport të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. “Presidenti Ivanov e përshëndeti përkrahjen e vazhdueshme të grupit të Vishegradit për mbajtjen e dinamikës së procesit të zgjerimit të BE-së dhe përkrahjen e fuqishme të fillimit sa më të shpejt të negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë”, qëndron në kumtesë. Bashkëbiseduesit në takim kanë këmbyer mendime edhe rreth mundësive për thellim të bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian dhe Evropa dhe pozitat e vendeve të grupit të Vishegradit në raport të sfidave kyçe. Presidenti i Maqedonisë, citohet u falënderua për angazhimin personal dhe përkushtimin e ambasadorëve në përparimin e marrëdhënieve me Republikën e Maqedonisë, si dhe për ndihmën e këtyre vendeve në ballafaqimin me krizën migruese. Ambasadorët, sërish potencohet, i riafirmuan përpjekjet për vazhdim të bashkëpunimit të ndërsjellë në ballafaqim me krizën migruese dhe me sfidat e sigurisë të vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Në takim është biseduar edhe për aktivitetet e ardhshme dhe planet për këmbim të vizitave në nivel më të lartë mes Republikës së Maqedonisë dhe vendeve nga grupi i Vishegradit, potencohet në kumtesë.