Grupi i Vishegradit bën thirrje që të përshpejtohet integrimi i Ballkanit në BE

Pragë, 12 shtator – Kryeministrat e vendeve të Grupit të Vishegradit sot në Pragë u angazhuan për përshpejtim të eurointegrimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor, ndërsa kryeministri çek, Andrej Babish tha se do të ishte ideale që Serbia dhe Mali i Zi t’i bashkangjiten familjes evropiane para fundit të vitit 2027.

“Nuk ka dyshim se negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi do të përshpejtohen dhe se do të mund t’i kyçim këto dy vende në familjen evropiane sa më shpejtë, do të ishte ideale pata fundit të vitit 2027”, tha Babish dhe e përshëndeti mundësinë për hapje të negociatave inkuadruese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë në tetor të këtij viti.

Ai theksoi se Çekia çdoherë është angazhuar për lidhje të afërta mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Sot miratuam deklaratë në të cilën shprehim bindje të përbashkët se politika e zgjerimit të BE-së është mjeti më efikas për promovim të stabilitetit, sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor, sepse siguria e Ballkanit Perëndimor do të thotë siguri në Evropë”, theksoi Babish.

Ai shtoi se bashkimi i sërishëm i Evropës nuk do të jetë i plotë nëse i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk përfshihet në procesin e zgjerimit.

Kryeministri i Polonisë, Mateush Moravjecki tha se takimi i sotëm në Pragë paraqet vazhdim të takimeve në Poznanj, ku u cek nevoja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha se Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria duhet të bëhen anëtare të BE-së.

Ai shtoi se inkuadrimi i vendeve nga Ballkani Perëndimor nuk është barrë, por mundësi për Evropën.

“Evropa do të jetë më e fuqishme nëse i pranojmë këto vende”, theksoi Orban dhe shtoi se nëse “BE-ja nuk do të vononte me pranimin e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut si anëtare të veta, nuk do të kishte aq emigrantë ilegal të cilët vijnë në Evropë”.