Shkup, 30 janar – Grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë sot i shqyrtoi indikacionet nga debati publik për Ligjin për Prokurorinë Publike, bëri të ditur në Fejsbuk, ministrja Renata Deskoska, transmeton gazeta KOHA.
“Shpresoj se edhe partitë politike dhe grupet parlamentare seriozisht veprojnë në këtë proces dhe nesër presim në takimin e punës që t’i prezantojnë amendamentet e tyre, nëse vlerësojnë se ka nevojë për ndryshime në tekstin e ligjit që u shqyrtua”, thekson Deskoska.
Në Kuvend për nesër është paralajmëruar takim i ri i grupeve të punës në format më të gjerë, gjegjësisht me prani të përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare. Pas takimit pritet që të jetë më e qartë se a do të tejkalohen çështjet e hapura mes pushtetit dhe opozitës dhe përfundimisht Propozim-ligji për PP-në të gjendet në seancë plenare.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot deklaroi se nëse deri në Parlament dorëzohet i harmonizuar Propozim-ligji për prokurorinë publike dhe me përmbajtje dhe me shumicë të dakorduar, ai menjëherë do të vendoset në seancë kuvendore.
Apel deri te partitë për marrëveshjen për ligjin dërguan kryeministri Oliver Spasovski dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. VMRO-DPMNE-ja, siç deklaroi deputeti Antonio Milloshovski edhe më tutje vlerëson se ligji i propozuar nuk është komplet dhe me lëshime, që sipas tij, ishte konfirmuar edhe në debatin publik në Kuvend.
Shpresë se Ligji për Prokurorinë Publike do të miratohet para shpërbërjes së Kuvendit më 12 shkurt shprehën euroambasadori Samuel Zhbogar dhe ambasadorja e SHBA-së, Kejt Meri Berns.(koha.mk)