Grupi i besimtarëve nga Gostivari i pari do të niset për në Haxh 2022

Gostivar, 23 qershor – Besimtarët nga Gostivari të cilët këtë vit u paraqitën për të kryer Haxhin në vendin e shenjtë Mekë (Arabi Saudite) i përfunduan përgatitjet dhe të dielën, në mënyrë të organizuar do ta fillojnë pelegrinazhin. Grupi nga Gostivari është i pari në vend që do të niset për rrugë.

Pas takimit të mbajtur konsultativ para nisjes për në Haxh, muftiu i Gostivarit, Sabahudin zendeli theksoi se këtë vit, nga rajoni i Gostivarit drejt vendeve të shenjta do të udhëtojnë 199 besimtarë. Ata do t’i shoqërojnë 13 persona, mes të cilëve do të ketë edhe personel mjekësor. Më të rinjtë, këtë vit janë një çift martesor i moshës 30-vjeçare.

“Takimi ishte mundësi e mirë që besimtarët të njihen dhe t’i dëgjojnë këshillat që sa më sigurt ta kalojnë udhëtimin. Ata përmes ligjëratave prej së afërmi u njoftuan me vlerën, filozofinë dhe maturinë të cilat dalin nga qëndrimi në vendet e shenjta”, tha Zendeli.

Advertisements

Ndërkohë personat të cilët u paraqitën për udhëtim disaditor në Arabi Saudite i përfunduan kontrollet e nevojshme shëndetësore dhe i morën vaksinat e nevojshme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse.

Nga BFI paraprakisht informuan se këtë vit ka ndryshime në mënyrën e deritnaishme të paraqitjes dhe nisjes për në Haxh. Nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt vendeve të shenjta të fesë islame do të nisen 919 besimtarë.

“Këtë vit udhëtimi dhe qëndrimi janë tërësisht në organizim të BFI-së. Besimtarët do të nisen nga vendet ku janë lindur, kështu që mërgimtarët tanë nuk do të udhëtojnë nga vende të tjera, por kjo do të organizohet nga muftinitë në vend”, qëndron në informatë.

Për shkak të protokolleve për Kovid-19 në Arabi Saudite, kufiri i moshës së besimtarëve është kufizuar në 65 vjeç.

Në takim, besimtarëve u është ndarë veshja tradicionale për Haxh-(irhame, shami). Nisja është caktuar për më 26 qershor nga medreseja në Gostivar.

Në dy vitet e fundit, për shkak të pandemisë, besimtarët nuk shkuan në Haxh, ndërsa këtë vit, numri është i kufizuar.